TIRANE-PDIU inkurajon punën e Institutit Kombëtar për të përndjekurit dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për realizimin e programit për gjetjen e të zhdukurve nga koha e diktaturës. Në një deklaratë për mediat PDIU shprehet se e ka patur në programin e vet zgjedhor angazhimin ligjor dhe institucional për gjetjen e të zhdukurve të kohës së diktaturës.
“Nuk ka paqe të plotë sociale në vend pa zgjidhjen e problemeve të mbetura nga koha e diktaturës: lustracioni mbi hapjen e drejtë të dosjeve, dhe dhënia e një varri për gjithë viktimat e asaj periudhe tragjike të historisë sonë. PDIU ka vlerësuar si shumë kuptimplotë angazhimin më të fundit të Institutit Kombëtar për të përndjekurit politikë dhe Ministrisë së mirëqenies sociale dhe rinisë për të ftuar Komisionin Ndërkombëtar për të zhdukurit në një projekt për identifikimin dhe gjetjen e gjithë të zhdukurve të kohës së diktaturës.”- thuhet në deklaratën e PDIU-së.
Më tej theksohet se numri i tyre përfaqson një shifër tronditëse për një vend të vogël si Shqipëria, afro 6000 vetë të mbetur pa varr nga viti 1944 deri në 1991, shifër e krahasueshme me vendet me konflikte ndëretnike. “Ndjeshmëria jonë për këtë problem të ngjashëm dhe me tragjedinë e komunitetit çam në Greqi është e hershme dhe ka qenë objekt i programit tonë zgjedhor. Ne kemi folur vazhdimisht për një çështje kaq të ndjeshme si kjo, duke propozuar dhe zgjidhje ligjore, institucionale që do të detyronin kriminelët e mbijetuar komunistë që të tregonin vendvarrimet e fshehta të kohës së diktaturës. Ne e kemi parë këtë çështje së bashku me lustracionin e mbështetur mbi një hapje të drejtë të dosjeve, si dy shtyllat, ngritja e të cilave do të realizonte përfundimisht paqen sociale në vend. Ndaj ne jemi të gatshëm që të kontribuojmë në ngritjen e këtyre dy shtyllave të paqes sociale në vend, për një problematikë që akoma prek jetën e përditshme të mijëra familjeve, që cënon traditën e nderimit të të vdekurve dhe nuk përmbyll procesin e drejtësisë për të gjithë.”- përfundon deklarata e PDIU-së.
(a.n/BalkanWeb)
