Pas akuzave të Arturo Rexhinaldos, reagon ashpër edhe Safet Gjici. Presidenti, jo vetëm që hodhi poshtë çdo pretendim të sulmuesit, por rrëfeu edhe prapaskenat që sollën “divorcin”.

Gjici
Numri një i klubit thekson se 28-vjeçari i doli nga marrëveshja dhe si justifikim për të mos rinovuar, gjeti… mamanë. Gjatë prononcimit të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai shpjegon se i plotësoi çdo kërkesë mozambikasit, duke i ofruar një superkontratë, madje më të lartë edhe se të Pero Pejiçit, që shënonte nga 35 gola në sezon.

Edhe për historinë e rrogës së padhënë, shpjegon se te Kukësi pagat e muajit jepen çdo datë 10, pra i bie që lojtari do ta marrë pas 5 ditësh. Nuk e lë me kaq, por e cilëson Rexhinaldon si futbollisti me karakterin më të keq që ka ndeshur në 7-8 vitet e fundit.

REAGIMI

“Unë jam president dhe më takon të merrem me politikat dhe strategjinë e klubit tim, pasi vetëm kështu mund të kem sukses, të cilin Kukësi e ka realizuar më së miri gjatë gjithë këtyre viteve. Dhe, ky sezon u mbyll me sukses falë gjithçkaje që kemi bërë, investimeve, politikave, përkushtimit e çdo gjëje tjetër. Tani, sa i përket Rexhinaldos, unë jam krejt transparent, jo vetëm me të, por me këdo.

Me të kemi biseduar para ndeshjes me Kastriotin, kemi qenë të gjithë si staf në tavolinë, ku çdo gjë që më ka kërkuar ia kam plotësuar, madje dhe ai vetë u habit që unë i plotësova të gjitha një më një çka kërkoi. Më falënderoi e më dha dorën, duke më thënë se do të firmoste kontratën e re dhe do të vazhdonim bashkë përpara. I kam dhënë një superkontratë, të cilën dhe vetë Pero Pejiç që shënon 35 gola në sezon do e kishte zili.

E imagjinoni ju çfarë kushtesh i kam dhënë. Rritje page për gol, për asist, rrogë, pra, superkontratë. Erdhi puna mbaroi kampionati dhe Kupa dhe unë e kisha fjetur mendjen në lidhje me të, i thashë stafit që është e mbyllur me të, vazhdoni programin. Ai shkon në klub dhe kërkon rrogën dhe premion dhe pastaj thotë që kur të kthehem do shoh për kontratën. Dihet që rrogat te Kukësi dalin në datën 10 dhe premio është dëshira ime që do t’ia jap ekipit.

Tani ky vjen dhe ngul këmbë, shkeli marrëveshjen dhe tha ‘do i marr leje mamit për të vazhduar më tej’. Unë nuk mbaj kurrë njeri me zor, madje kam qenë superkorrekt, sidomos me këtë person, por më zhgënjeu me sjelljen e tij. Tani as unë s’e mbaj më në ekip edhe sikur të më lutet. Lekët do t’i marrë kur të dalin për të gjithë, siç janë në kontratë. Është njeriu me karakterin më të keq që kam parë në këto 7-8 vite në futboll. Njëri shumë i vështirë për çdo trajner.

E kam toleruar disa herë për sjellje, pasi më është lutur dhe më ka mohuar çdo gjë që ka bërë. Tani nuk e mbaj më asnjë sekondë dhe kam një premtim: kurrë më lojtarë me karakter të keq te Kukësi, lojtarë që nuk bashkëpunojnë me shokët dhe me stafin. Klubi është model i bashkëpunimit dhe i suksesit. Kupat e Europës i kemi para, do bëjmë përforcimet e nevojshme, kemi gati planin dhe strategjinë për të bërë hapa cilësorë në Kupat e Europës.

Te Kukësi çdo lojtar që do jetë pjesë, do të jetë shembull i bashkëpunimit dhe i sportistit. Nuk kemi nevojë për futbollistë gënjeshtarë dhe me karakter të keq, qofshin këta si Mesi dhe Ronaldo. Klubi ka rregulla dhe çdo gjë do të vijojë të funksionojë sipas rregullave”, përfundoi kreu i klubit. /Panoramasport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb