Shpëtim Gjika do t’i kundërpërgjigjet Sinan Idrizit vetëm kur ky i fundit të nxjerrë me fakte dhe me prova të gjithë listën e borxheve që pretendon se i ka bashkia. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, ish-presidenti më jetëgjatë i Flamurtarit dhe ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, nuk ka pranuar të bëjë komente rreth deklaratave dhe akuzave që administratori aktual i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ka ngritur ndaj tij.

Ai ka ngritur vetëm një pyetje, me anë të së cilës kërkon që të njihet me të gjitha faturat që pretendon Idrizi se bashkia i detyrohet. “Sinan Idrizi po u kërkon taksapaguesve vlonjatë, pra Bashkisë së Vlorës, 500 mijë euro. Pyeteni ku i ke këto fatura, na i trego? Taksapaguesit duhet ta dinë këtë gjë”, është shprehur Gjika. Më tej, ish-kryebashkiaku i Vlorës ngre edhe çështjen se përse Idrizi e çoi në KAS çështjen “Gjoka” dhe, më pas, nuk bëri pagesën për të vijuar gjyqin. “Pyeteni pse e çove në KAS kontratën e Gjokës dhe nuk bëre pagesën e hapjes për shqyrtimin e çështjes?! Unë nuk bëj asnjë lloj deklarate pa u qartësuar ju si media njëherë dhe opinioni publik për këtë situatë”, është shprehur Gjika, por pa dashur të bëjë ndonjë koment për akuzat e Idrizit.

PENALIZIMI
Më 10 nëntor 2016, Flamurtarit iu hoqën 6 pikë nga tabela e klasifikimit. Komisioni i Disiplinës e mori këtë vendim për shkak të kërkesës së lojtarëve Franc Veliu, Artan Sakaj dhe Polizoi Arbri. Këta të fundit e hodhën në gjyq klubin, pasi kërkonin pagat e prapambetura. Edhe pse marrëveshja u lidh më vonë, pikët ishin hequr. Por ky detyrim i përkiste klubit të drejtuar nga Idrizi. Gjika e ka edhe një përgjigje për këtë temë. “Edhe për heqjen e 6 pikëve më akuzuat mua. Por, në fakt, ato pikë nuk u hoqën prej meje. Ato kontrata nuk ishin të miat”, tha Gjika.

ÇFARË THA IDRIZI
Në një prononcim për “Panorama Sport”, administratori i Flamurtarit, Idrizi, kërkoi një mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak që t’i kthejë 500 mijë euro. Bëhet fjalë për borxhet që Idrizi i ka paguar, por që nuk i përkasin atij, po janë borxhe të mbartura që nga koha kur klubi administrohej nga bashkia, ndaj ish-trajnerëve, ish-lojtarëve dhe të tretëve. “Do t’i kërkoj Këshillit Bashkiak të mblidhet urgjentisht. Nuk mund të paguaj unë gjëra që s’më takojnë. Do t’i kërkoj Këshillit Bashkiak të më kthejnë 500 mijë eurot që nuk janë detyrimi im”, ka thënë Idrizi. Ky i fundit shpeshherë i ka bërë thirrje bashkisë që të marrë përsipër detyrimet e kaluara të klubit./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: