TIRANE – Pas akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha, ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri ka reaguar me një status në Facebook.

Anëtari i qeverisë shkruan se “regjisori i Babales iu rikthyes sot politikës së korbave duke përdorur politikisht fatkeqësitë njerëzore dhe aksidentetet në punë gjatë aktivitetit minerar”.

Ky reagim i Gjiknurit erdhi pas deklaratës që bëri kryetari i Partisë Demokratike, Basha nga Spitali Ushtarak, ku vizitoi minatorin e plagosur një ditë më parë në Bulqizë.

“Regjizori i Babales ju rikthye sot politikës së korbave duke përdorur politikisht fatkeqësitë njerëzore dhe aksidentet në punë gjatë aktivitetit minerar. Luli e di shumë mirë se ajo çka vazhdojmë ta paguajmë sot është fatura e “babale partisë” së tij dhe qeverisë në të cilën ishte pjesë, që parcelizuan në mënyrë kriminale çdo vendburim minerar duke u bërë shkak për rritjen e aksidenteve. Në betejën tonë për zhbërjen e këtij parcelizimi kemi revokuar mbi 150 leje por jemi përballur e vazhdojmë të përballemi çdo ditë pa u ndalur me gjykatat e ndryshkura nga korrupsioni. Regjizori i Babalës mbron gjykatat e korruptuara dhe këto të fundit mbrojnë e mbajnë në fuqi leje e licenca të firmosura nga skenaristi i Babales në të cilat ndodhin edhe aksidente me humbje jetësh njerëzore. Një arsye më shumë për të mbështetur fuqimisht reformimin e sistemit të drejtësisë duke i vënë fre dhe spektaklit politik të Lulit në kërkim të kauzave të rradhës,” shkruan Gjiknuri.

Çfarë tha Basha më herët

“Këto janë kosto dhe faturat e korrupsionit qeveritar e një prej ministrave më të korruptuar të kësaj qeverie, Damian Gjiknuri, të cilit i është mbyllur goja me milionat e mafies së kromit që është përgjegjësja kryesore bashkë me qeverinë e Edi Ramës për vdekjen e mbi 40 minatorëve gjatë 5 viteve që qeveris PS,” deklaroi Basha.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: