VLORE- Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri i shoqëruar nga Administratori i Përgjithshëm i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Z.Adrian Çela kryen sot një inspektim në qytetin e Vlorës.

Ata u ndalën fillimisht në ambientet e nënstacionit elektrike Vlora 1 ku ndoqën nga afër punën që po bëhet për riparimin e një defekti që la pa energji rreth 3 mijë abonentë, të qytetit dhe rrethinave.

Ministri Gjiknuri konstatoi se stina e ftohtë nxjerr në pah problematikën e trashëguar të mungesës së investimeve në sistem. Sipas tij, vetëm përmes disiplinës së pagesave, përmirësimit të performancës së kompanisë, rritjes së arkëtimeve dhe uljes së humbjeve do të mund të kryhen investimet e nevojshme që garantojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë energjitike.

Ishte pikërisht rrjeti i amortizuar dhe mospërballimi i ngarkesës së lartë që shkaktuan përhapjen e flakëve të zjarrit dhe më pas djegien e një transformatori në këtë nënstacion. Administratori Çela deklaroi se transformatori i ri do të montohet dhe brenda mbrëmjes së të shtunës do të rikthehet energjia për këta konsumatorë. Çela garantoi angazhimin maksimal të OSHEE-së për të siguruar një shërbim sa më cilësor për konsumatorët.

Pas nënstacionit, Ministri Gjiknuri dhe Administratori Çela kryen një vizitë edhe në Zyrën Qendrore të OSHEE-së në qytetin e Vlorës ku bashkëbiseduan me disa prej qytetarëve që prisnin në rradhë për të paguar faturat e energjisë dhe firmosur aktmarrëveshjet për shlyerjen me këste të debive.

Ministri Gjiknuri tha se kompania në këto javë ka hapur shumë sportele të reja në disa rrethe, me synim shmangien e rradhëve të gjata. Sipas tij, në ato zona ku vazhdon të ketë problem me rradhë në zyrat e Kujdesit ndaj Klientit do të merren masat për të hapur të tjera sportele shtesë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: