TIRANË- Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ishte i pranishëm sot në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese. Gjiknuri foli për ligjin e ri për energjinë elektrike ku theksoi se ky ligj synon t’u japë fund abuzimeve.

“Projektligji, ka si qëllim krijimin e një kuadri ligjor në këtë sektor, me objektivin: krijimin dhe funksionimin e një tregu konkurrues; furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike të klientëve, mbrojtje të interesave të konsumatorëve, minimizim të kostos së shërbimit të furnizimit”, deklaroi Gjiknuri para anëtarëve të komisionit.

Gjiknuri tha se ligji i ri i detyron palët të marrin masa për sigurimin e energjisë, ndërsa prodhuesit kanë të drejtë të shesin energji, por të ruajnë balancën e sistemit. Gjiknuri u shpreh se deri në vitin 2017, OST duhet të jetë i ndarë nga operatorët e tjerë dhe siguroi konsumatorët se nuk do të mbifaturohen.

Sipas ministrit të Energjisë Projektligji “Për sektorin e energjisë elektrike” përmbush mbi të gjitha angazhimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

“Miratimi i këtij ligji do të pasohet dhe me një sërë ligjesh të tjera, por që në themel kanë miratimin e tij. Kështu, do kemi Ligjin për Energjitë e Rinovueshme, Plani Kombëtar për Energjitë e Rinovueshme, si dhe shumë akte të tjera që lidhen me sektorin energjetik, kryesisht me gazin, i cili edhe ky do të jetë një sektor i rregulluar. Paketa ligjore është gati, pasi të miratohet ligji për sektorin e energjisë elektrike do të vazhdohet edhe me të”, tha Gjiknuri.
(a.h/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: