Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri mori pjesë sot në Forumin e Biznesit të organizuar nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë së Estonisë.

Ministri Gjiknuri shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë forum, duke vlerësuar se vendi ynë mund të mësojë shumë nga Estonia. Ministri u ndal tek potencialet që ofron Shqipëria për investitorët e huaj, konkretisht në sektorin energjetik dhe të industrive nxjerrëse. Gjiknuri ftoi investitorët të kthejnë sytë nga Shqipëria për të shfrytëzuar pikërisht potencialet e saja të mëdha në burimet natyrore.

Ai u ndal gjatë tek sektori i energjisë elektrike, duke njohur investitorët me masat që po ndërmerren për të krijuar një bazë sa më solide për investimet e ardhshme.

“Nga pikëpamja energjetike ne kemi potencialin që të bëhemi një aktor me rëndësi për Evropën Juglindore. Sepse ne jemi të bekuar me burime ujore. Shqipëria ka shumë burime ujore ende të pashfrytëzuara të cilat mund të jenë një hapësirë investimi për sipërmarrësit e huaj. Kemi disa projekte të mëdha të cilat janë në vazhdim e sipër. Po ashtu, kemi edhe projekte të tjera të vogla”, u shpreh Ministri.

Ne, vijoi ai, po investojmë dhe po e transformojmë sektorin energjetik, për të bërë të mundur që ai të bëhet likuid dhe i fortë financiarisht, në mënyrë që të krijojmë një bazë solide për çdo investim të ardhshëm.

Ministri Gjiknuri shtoi se Shqipëria ka një treg të vogël të energjisë elektrike, por po punohet që të krijohet infrastruktura që Shqipëria të jetë e ndërlidhur me të gjitha vendet fqinje.

“Ne kemi një treg të vogël të energjisë elektrike, por po bashkëpunojmë me vendet e tjera, si Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Po investojmë në interkonjeksione, për të krijuar infrastrukturën e duhur për tu lidhur me gjithë këto vende. Do të thotë që Shqipëria do të jetë e ndërlidhur me të gjitha vendet fqinje. Nga ana tjetër, ne do të liberalizojmë tregun e energjisë dhe këto ditë do të kalojmë në Parlament ligjin e ri të energjisë, i cili do të jetë një fillim për liberalizimin e tregut”, u shpreh ai.

Duke u ndalur tek sektori hidrokarbureve, Gjiknuri tha se projekti i gazsjellësit TAP do ti krijojë shumë mundësi Shqipërisë për gazin dhe ndryshon gjithashtu hartën energjetike.

“Unë besoj që duke patur naftën si dhe gazin përmes TAP-it, do kemi dy elementë të tjerë të rëndësishëm të cilët do ta na komplementojnë jo vetëm në energji, por edhe në industrinë në përgjithësi. Kështu mund të bëjmë një miks, midis rezervave ujore dhe burimeve të gazit”, u shpreh Ministri.

Gjiknuri tha se po punohet për planin e ri të veprimit për energjitë e rinovueshme. “Do krijojmë oportunitete për investime edhe në këtë pjesë të sektorit”, u shpreh ai.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: