TIRANE – Aksioni kundër vjedhjes dhe abuzimit me energjinë elektrike ka dhënë frytet e para, duke e futur sektorin energjitik në rrugën e rimëkëmbjes. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri theksoi se arkëtimet janë rritur në mënyrë të ndjeshme dhe qytetarët po mbështesin masivisht aksionin për vendosjen e ligjshmërisë.  Sipas ministrit Gjiknuri, deri tani janë lidhur 16793 marrëveshje mes OSHEE-së dhe qytetarëve për shlyerjen e faturave të papaguara, ndërsa 7318 konsumatorë familjarë kanë përfituar nga ulja me 80% e kamatëvonesës, pasi kanë shlyer të gjithë borxhin e tyre.

“Qytetarët po e mbështesin masivisht rivendosjen e disiplinës së pagesave dhe luftën ndaj fenomenit të vjedhjes së energjisë. Vetëm prej datës 4 dhjetor, kur hyri në zbatim skema lehtësuese e pagesave, deri ditën e djeshme, rezultojnë të jenë lidhur 16,793 marrëveshje. Prej tyre, 7,318 klientë familjarë kanë përfituar zbritjen 80% të kamatëvonesës duke likujduar plotësisht borxhet e akumuluara ndaj kompanisë së shpërndarjes. Në këto ditë janë lidhur 967 akt marrëveshje për shlyerjen e detyrimeve me këste për familje të klasifikuara në ndihmë ekonomike. Mbështetja e vazhdueshme që qytetarët e ndershëm po i japin rivendosjes së disiplinës së pagesave dhe luftës ndaj vjedhjes së energjisë janë treguesit më të qartë se rimëkëmbja e sektorit energjitik ka filluar.”- deklaroi Gjiknuri.

Sipas ministrit, “niveli i humbjeve për muajin Nëntor ka shënuar një rënie të theksuar, duke arritur në 32.8% ndërsa Nëntorin e vitit 2013, niveli i humbjeve ishte 48%. Shifrat flasin vet për një rënie të humbjeve me 15.2%. Mesatarja progresive e humbjeve për periudhën Janar-Nëntor është ulur në 37.8%. Në vitin 2013, mesatarja vjetore e humbjeve ishte në masën 45%.Për sa i takon arkëtimeve, për muajin Nëntor ato kanë arritur në 4,38 miliard lekë ose krahasuar me nëntorin e vitit 2013 konstatohet një rritje me 47.2%.Për periudhën Janar-Nëntor 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, arkëtimet janë rritur me 8,2 miliard lekë ose ndryshe 23.5% më shumë”.

Ministri Gjiknuri tha se tashmë ka nisur shlyerja e borxheve të akumuluara ndaj prodhuesve të vegjël të energjisë, duke u dhënë kështu frymëmarrje edhe investimeve private.

“Detyrimi ndaj HEC-eve private përfshire HEC Ashta, për periudhën Janar-Tetor 2014 është 7.89 miliard lekë. Deri në fund të vitit, detyrimi parashikohet të arrijë deri në 8.87 miliard lekë. Nga ky borxh është likujduar 2.99 miliard lekë ose 34% e tij. Ka filluar këto ditë likujdimi me mbi 1.1 miliard lekë i detyrimeve, i cili do të plotësohet brenda këtij muaji edhe me 2 miliard lekë të tjera, duke arritur në një shlyerje të borxhit në nivelin mbi 70%.  Brenda muajit Prill 2015, ky detyrim do të jetë bërë e mundur të shlyhet 100% dhe ndërkohë nuk do të ketë asnjë faturë korente të papaguar.”- tha Gjiknuri.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: