TIRANË- Në Tiranë u mblodhën të martën përfaqësues të kompanive SOCAR, Shell, British Petroleum, WBIF, TAP AG, KESH, Albpetrol, ECS, DG Energy, EBRD për të diskutuar për studimin e fizibilitetit të masterplanit të gazit në Shqipëri. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri ftoi kompanitë të investojnë në Shqipëri. Ne synojmë, tha ai, që Shqipëria të kthehet në një nyjë lidhëse, në një hallkë për gazsjellësa të tjerë të mundshëm, që Shqipëria të jetë pjesë e intekonektorëve europiane në mënyrë që të ketë mundësi furnizimi të vazhdueshëm. “Qeveria e mbështet realizimin e projektit të gazsjellësit TAP, pjesë e korridorit jugor të gazit”, deklaroi Gjiknuri.
Qeveria, theksoi ministri, ka miratuar edhe kalimin e tokave shtetërore nga ku kalon tubacioni duke mundësuar tanimë nisjen e fazës së punimeve në terren për ndërtimin e rrugëve të aksesit. Në këtë linjë, Ministri insistoi se është me rëndësi të madhe që kompanitë vendase të mund të bëhen pjesë direkte e fazës së ndërtimit të rrugëve të aksesit në Shqipëri, por edhe në çdo fazë tjetër të projektit si nënkontraktorë. Një hap ky, që sipas tij, do të mund të ndikonte edhe më shumë në rritjen e përfitimeve për ekonominë tonë.Qeveria shqiptare e sheh projektin TAP si një mundësi për diversifikimin e burimeve energjetike në vend dhe ndihmë për konsolidimin e sigurisë së furnizimit”, u shpreh Ministri Gjiknuri.


Ministri Gjiknuri informoi edhe për bazën ligjore që po përgatit Shqipëria si për sektorin energjitik edhe atë të gazit. Shqipëria, tha ai, ka gati ligjin europian për gazin dhe menjëherë sapo në Parlament të kalojë ligji për sektorin e energjisë, do të pasohet nga ligji për gazin. “Shqipëria është duke ecur në drejtimin e legjislacionit europian. Këto ditë po diskutojmë në parlament ligjin për sektorin e energjisë elektrike, që është implementimi i paketës së tretë të energjisë. Të njëjtën gjë do bëjmë edhe me gazin. Projektligji është përgatitur edhe me mbështetjen e komunitetit të energjisë. Pasi të kalojë ligji për sektorin e energjisë elektrike do të pasohet nga ligji për gazin, kështu që baza ligjore e nevojshme do të jetë në vend, por kjo nuk është e mjaftueshme, sepse unë nuk besoj shumë se zhvillimi do të vijë nga paketa ligjore, por nga zhvillimi direkt në terren”, theksoi ai.
Na duhet një industri gazi e zhvilluar, vijoi Gjiknuri, që të jetë pjesë e portofolit energjitik.


Ndërkohë përfaqësuesi i kompanisë Socar, Murat Hey Darov, tha se projekti i gazsjellësit TAP mundëson një rrugë të re përsa i takon gazifikimit të Shqipërisë. Azerbajxhani, tha ai ka dhënë prej vitesh kontribut në këtë drejtim dhe ne do të zgjerojmë bashkëpunimin. Sipas tij, një nga objektivat tona është të ndihmojmë qeverinë shqiptare të hartojë masterplanin e gazit. Për këtë, informoi ai, është nënshkruar edhe një memorandum mirëkuptimi midis dy qeverive, asaj azere dhe shqiptare, për të kontribuar në masterplanin e gazit. Tryeza e sotme synon të optimizojmë punën tonë, të shmangim detyrimet e kota dhe të ecim me hapa paralel. “Synojmë të arrijmë në propozime dhe konkluzione, të konsolidojmë formatet në një rrjedhë të vetme dhe të kemi një proces të përkushtuar, të kemi zgjidhje praktike “, deklaroi Darov.
Sipas Darov, hapat konkretë janë studimi i fizibilitetit, hartimi i masterplanit dhe zhvillimi i infrastrukturës. Për të arritur këtu, vijoi Idarov, duhet të kuptojmë cilat janë kushtet, pritshmëritë, ofertat dhe kërkesat.
“Kur flasim për objektivat e korridorit jugor të gazit duhet të marrim në konsideratë eksportin si mundësi për të kontribuar në zhvillimin e vendeve. Zbatimi i projektit përbën një vlerë për hapjen e vendeve të punës, ndërtimin e infrastrukturës së re”, deklaroi Darov.


Ndërtimi i gazsjellësit në Shqipëri

Gjurma e TAP-it përmes Shqipërisë është rreth 210 kilometra në pjesën tokësore dhe 37 km në pjesën detare në ujërat territoriale shqiptare të Detit Adriatik. Seksioni fillon në Bilisht Qendër në Qarkun e Korçës në kufirin shqiptar me Greqinë dhe mbërrin në Detin Adriatik 17 km në veriperëndim të Fierit, 400 metra në tokë nga vija bregdetare.

Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor, si dhe është planifikuar një stacion tjetër në afërsi të Bilishtit nëse kapaciteti i gazsjellësit zgjerohet në 20 miliard metra kub (bcm). Përgjatë kësaj gjurme do të ndërtohen nëntë stacione valvulash bllokimi.

Në zonat malore, do të ndërtohen afërsisht 58 km rrugë të reja dytësore, ndërsa 44 km rrugë ekzistuese do të përmirësohen. Do të rehabilitohen 50 ura dhe do të ndërtohen dy të reja. Këto punime planifikohen të nisin në vitin 2015.

Puna në çdo ‘segment’ ndërtimi përllogaritet të zgjasë rreth tre muaj. Si edhe në pikat e tjera të gjurmës së TAP-it, tubacioni do të jetë i futur nëntokë.

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) do t’iu japë kompanive dhe individëve shumë mundësi për t’u përfshirë në zbatimin e një prej projekteve më të rëndësishme të infrastrukturës energjetike në Evropë.

TAP

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt për zhvillimin e një tubacioni që do të transportojë gaz natyror nga rajoni Kaspik në drejtim të Evropës.
TAP-i pas lidhjes me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin Turko-Grek, do të përshkojë Greqinë e Veriut, Shqipërinë, Detin Adriatik e më pas do të dalë edhe një herë në tokë në Italinë Jugore për t’u lidhur me rrjetin italian të gazit natyror.

Aktualisht projekti është në fazën e zbatimit dhe po bëhen përgatitjet për ndërtimin e gazsjellësit, çka parashikohet të nisë në vitin 2016.​

Pasi të ndërtohet, TAP-i do të ofrojë rrugën e transportit më të drejtpërdrejtë, më logjike dhe më me efikasitet kostoje, duke hapur kështu Koridorin Jugor të Gazit, një sistem 4000 km i gjatë me vlera gazifikimi që shtrihet nga Deti Kaspik e deri në Evropë.

Kapaciteti i zgjerueshëm i gazsjellësit

Duke parashikuar nevojat e ardhshme në rritje, hartuesit e TAP-it kanë integruar një fleksibilitet në projektimin e gazsjellësit, në mënyrë që volume më të mëdha gazi të mund të transportohen në të ardhmen. Kapaciteti fillestar i TAP-it prej 10 miliard metra kub (bcm) gaz në vit, është i barabartë me konsumin vjetor energjetik të rreth 7 milion familjeve në Evropë. Në të ardhmen, shtimi i dy stacioneve të tjerë kompresorë mund të dyfishojë kapacitetin transportues të tij në më shumë se 20 bcm në vit. Por kjo do të realizohet pasi të jenë ndërtuar pika të tjera furnizimi me energji në rajonin e gjerë të Kaspikut.

Gazsjellësi do të ketë gjithashtu edhe të ashtuquajturën “rrjedhje e kundërt fizike”, që do të lejojë që gazi të drejtohet nga Italia për në Evropën Juglindore nëse furnizimet me energji në këtë rajon mungojnë, ose nëse nevojitet për t’u sjellë më shumë kapacitet gazi në të.

(ma.ar/BalkanWeb)

Etiketa: