TIRANË- “Nuk do ketë më informalitet në sistemin energjetik”. Deklarata është bërë nga Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri në Komisionin e Ekonomisë, teksa diskutohej buxheti i vitit 2015.

Ministri ceku edhe një temë mjaft të nxehtë për gjithë konsumatorët e energjisë, atë të pagesës së kamatëvonesave të akumuluara në vite. Ashtu si kryeministri Rama, edhe Gjiknuri tha se ato nuk do të falen, porse për qytetarët do krijohen lehtësira, siç është zgjatja e kohës së pagesës së kësteve.

“Do ketë lehtësi në pagesa, të shtrihen në kohë. Do ketë lehtësira, por jo falje. Nuk do ketë falje, nuk do bëjmë amnisti. Amnistia i ka nxitur njerëzit të mos paguajnë. Qytetarët kanë nevojë të kenë shërbime më të mira, lehtësira do të bëjmë”, tha ai.

Duke u ndalur tek aksioni i fundit mes OSHEE dhe policisë për të evidentuar dhe ndalur çdo lidhje të jashtëligjshme të energjisë elektrike, Gjiknuri pohoi se, ka pasur ulje të konsumit të energjisë dhe rritje të faturimeve.

“Synimi ynë është që të frenohet vjedhja e energjisë, që të mos bëhet barrë për konsumatorin. Këtë muaj ka pasur ulje të konsumit të energjisë në 15%. Kemi rritje të faturimeve me 10%, ka filluar legalizimi i informalitetit në energji”, tha ai.

Më tej ministri shtoi se, “Sistemi ka filluar të ketë efekte pozitive dhe se qeveria tërhiqemi më nga kjo qasje”.

Sipas ministrit, ky sistem ka qenë i dështuar në 24 vite dhe tani po fillon të gjallërohet.

Për sa i përket liberalizimit të tregut të energjisë, ministri tha se ky është një proces që do shkojë në mënyrë graduale. “Liberalimizimi do rriste tarifat e energjisë. Ky proces do shkojë në mënyrë graduale. Do fokusohemi tek konsumatori”, tha ai.

Më tej Gjiknuri akuzoi qeverinë e kaluar për fshehje të vërtetës ndaj konsumatorëve, ndërsa shkoi më tej, duke i akuzuar për falimentimin e KESH-it.

“Qeverisja e kaluar asnjëherë nuk iu tha shqiptarëve se çdo investim i ri, fatura duhet ti shkojë konsumatorit final. Çdo burim i ri energjie duhet të reflektohet në çmim. Qeveria e kaluar e fshehu të vërtetën, e çoi KESH në faliment”.

Ai tha më tej, se shitja e 4 HEC-eve në vend është akti më i rëndë që i është bërë sektorit të energjisë.

KADELI I LSI: QYTETARËT QË PAGUAJNË, S’MUND TË RRINË 9 DITË PA ENERGJI
I pranishëm në Komisioni e Ekonomisë ishte edhe deputeti i LSI-së Gjovalin Kadeli, i cili i kujtoi ministrit se ashtu siç kërkon me rigorozitet që qytetarët të paguajnë energjinë, ashtu duhet edhe t’ju përgjigjesh.

Sipas tij një lagje në Lezhë vuan prej 9 ditësh mungesën e energjisë dhe ky nuk është shërbimi që presin qytetarët që e paguajnë energjinë.

Sipas tij, problem mbetet edhe fakti që qytetarët nuk kanë ku të ankohen për faturat e energjisë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb