ELBASAN

Gjimnazi “Dhaskal Todri” i qytetit të Elbasanit prej vitesh renditet ndër më të mirët e vendit tonë, ndërsa një tjetër sukses është shënuar së fundi. Ky gjimnaz në Analizën kombëtare të Maturës 2018, sipas raportit të publikuar nga Ministria e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë si dhe Q.SH.A është renditur i pesti në shkallë kombëtare dhe më i miri në të gjithë Qarkun e Elbasanit duke shënuar kështu një tjetër sukses të jashtëzakonshëm që nga koha e krijimit të tij 53 vite më parë.

Pas këtij suksesi të gjimnazit “Dhaskal Todri”, Bordi i Prindërve dhe Bordi i Shkollës i kanë propozuar Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Elbasanit që këtij gjimnazi t’i jepet Titulli “Nderi i Qytetit të Elbasanit “me rastin e 7 Marsit, “Ditës së Mësuesit”.

Ky titull sipas tyre, gjimnazit “Dhaskal Todri” duhet t’i jepet me motivacionin “Për arritje të rezultateve të larta në Maturën Shtetërore ndër vite si dhe gjatë vitit 2018 kur është renditur mes pesë më të mirëve në renditjen kombëtare të gjimnazeve publike. Ky gjimnaz gjatë afro më shumë se gjysmë shekulli jetë ka nxjerrë breza të tërë nxënësish të suksesshëm të cilët tashmë janë emra të mirënjohur të fushave të ndryshme të politikës, artit, sportit, ekonomisë arsimit, shkencës dhe jo vetëm në Shqipëri dhe në vendet më të zhvilluara të botës.

Ky gjimnaz një ndër më të njohurit jo vetëm në kryeqendrën e arsimit sikurse njihet Elbasani por në të gjithë Shqipërinë krenohet me personalitetet dhe talentet e shumta që ka nxjerrë nga gjiri i tij që kanë drejtuar ministri, bashki, arsim, shëndetësi, drejtësi dhe kudo.

Ato janë të panumërt por ndër të mund të përmendim disa me aktivitet më të dendur publik si Omer Stringa, Ardian Turku, Arjan Starova, Klejda Bega, Fatbardha Gjini, Vera Grabocka, Fatos Kongoli, Fahri Balliu, Teuta Dilo, Bardhyl Musai, Spiro Duni, Flutura Açka, Bardhoshe Sejdini, Aurela Kullolli, Armanda Xhaferri, Evis Kushi, Gledjan LLatja e plot të tjerë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Gjimnazi “Dhaskal Todri” është një ndër shkollat më të vjetra në qytetin e Elbasanit dhe me këtë emër kjo shkollë ka marrë fizionominë e një institucioni me karakter te vërtetë të arsimit kombëtar dhe edukativo-kulturor dhe në çdo fillim viti mësimor aty ka një dyndje të pazakontë regjistrimesh të nxënësve të ekselencës që mbarojnë arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar. Ndërsa sot, nxënësit e këtij gjimnazi e ndiejnë privilegj të jenë pjesë e kësaj shkolle të madhe. Një histori e pasur me nxënës të shumtë.

Shkencëtarë, politikanë, artistë dhe sportistë janë ata që kanë krijuar reputacionin e rëndësishëm të kësaj shkolle. Nxënësit e gjimnazit “Dhaskal Todri” të qytetit të Elbasanit kanë konkurruar dhe kanë dalë fitues në olimpiada kombëtare e ndërkombëtare.

Drejtoresha e këtij Gjimnazi Valentina Leka thekson se kalueshmëria dhe nota mesatare e shkollës e arritur në provimet e Maturës Shtetërore si dhe numri i nxënësve që kanë fituar olimpiada në rang kombëtar janë treguesit kryesorë të sukseseve të këtij gjimnazi ndër vite. Kjo traditë e shkëlqyer jo vetëm që është ruajtur por gjithnjë e më shumë po e pasurojmë me rezultate edhe më të mira sikurse e tregon edhe renditja në mes të pesë më të mirëve në renditjen kombëtare të gjimnazeve publike. Ne besojmë që falë punës së trupës pedagogjike që ka ky gjimnaz dhe përkushtimit që tregojnë nxënësit në përvetësimin e njohurive “Dhaskal Todri” të mbetet në elitën e shkollave publike të Shqipërisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb