GJIROKASTËR- Shembet një pjesë e godinës gjashtëkatëshe, në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, godinë kjo e cilësuar edhe si kartolinë e qendrës muzeale. Rreth një muaj më parë News24 ngriti problemin për rrezikun që i kanosej një ndërtese karakteristike. Por që nga ajo kohë askush nuk u kujdes të merrte masa për të restauruar godinën.

Ndërkohë ka reaguar Ministria e Kulturës, e cila sqaron se objekti është dëmtuar për shkak të një investimi në vitin 2009, ku ndërtesës i janë vendosur sipër çatisë rrasa guri. Kjo gjë ka rënduar mbulimin, duke dëmtuar trarët mbajtës.

“Objekti  i njohur si “Gjashtëkëndëshi në Qafën e Pazarit”  i ndodhur në qendër të  pazarit karakteristik, në mesin e pazarit nga ku ndahen pesë rrugët karakteristike të qytetit ka shfaqur probleme qëndrueshmërie, të cilat pavarësisht investimit të vitit 2009, i cili preku gjithë Pazarin karakteristik, tregojnë për një restaurim të punuar jashtë parametrave teknikë e profesionalë”, thuhet në reagimin e MK.

Ministria e Kulturës sqaron se DRKK e Gjirokastrës ka ndjekur hap pas hapi të gjithë problematikën e banesës duke konstatuar një dëmtim të çatisë, si pasojë e ndërhyrjeve të rënda teknike në vitin 2009. “Nuk kemi të bëjmë me shembje, apo rënie të fasadës, siç është raportuar në disa media. Është konstatuar dhe raportuar edhe disa herë më parë se ky dëmtim vjen si pasojë e ndërhyrjes në objekt, ku, çatia  është mbuluar me rrasa guri, që kanë rënduar mbulimin. Në gjendjen e sotme kjo ka shkaktuar dëmtim të trarëve mbajtës dhe të pllakave të çatisë. Gjithashtu vërehet se elementë drusorë të përdorur në konstruksionin e çatisë janë jo të përshtatshëm për çatinë gjirokastrite”, deklaron Ministria e Kulturës.

Sipas Ministrisë, në kushtet emergjente masat e para të marra nga DRK-Gjirokastër janë drejtuar në përforcimin e strukturës, në ndërrimin e skemës statike të çatisë, si dhe përforcimin e strukturës me ngritjen e skelarisë, në vendosjen e kolonave të drurit, shkarkimi i një pjese të ngarkesës në dyshemenë e betonit, restaurim i vitit 2009.

“Me ndërhyrjen e fundit në datat 17 dhe 18 gusht 2015 nga specialistët e DRKK-Gjirokastër u arrit të stabilizohet qëndrueshmëria e çatisë dhe objekti mund të quhet i sigurt. Objekti është pjesë e projektit të bashkëpunimit me Agjencinë turke TIKA që mundëson ndërhyrjet fizike për mirëmbajtjen e monumenteve historike dhe kulturore në qendrën historike të Gjirokastrës, në zbatim të rekomandimeve të UNESCO”, thekson MK.

Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe Agjencia TIKA kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi lidhur me ndërhyrjet fizike për mirëmbajtjen e monumenteve historike dhe kulturore në qendrën historike të Gjirokastrës.

Si pasojë e kësaj marrëveshjeje është kryer faza e parë, rilevimi i qendrës historike, i cili ka përcaktuar ndërhyrjet e duhura në monumentet e veçanta të kulturës në qendrën historike të Gjirokastrës, pjesë e të cilës është edhe objekti i njohur si “Gjashtëkëndëshi në Qafën e Pazarit”.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: