GJIROKASTËR- Sërish krim në familje, gruaja vret me thikë bashkëshortin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në lagjen “18 Shtatori” në qytetin e Gjirokastrës ku Dituri Meni, 62 vjeçe ka goditur me thikë Flamur Menin, 66 vjeç. Burri ka ndërruar jetë rrugë për në spital, për shkak të plagëve dhe hemorragjisë. Fillimisht familjarët kanë thënë për policinë se 66-vjeçari kishte tentuar të vetëvritej, por pas kryerjes së hetimeve paraprake ka rezultuar se ka qenë gruaja ajo që e ka qëlluar me thikë duke i shkaktuar vdekjen.

Mësohet se mes bashkëshortëve ka pasur një sherr që mesa duket ka degjeneruar deri në atë masë sa gruaja ka qëlluar me thikë ndaj bashkëshortit të saj. Policia ka shkuar në banesën e familjes ku po merr në pyetje familjarët, ndërsa janë mbledhur edhe prova materiale në vendin e ngjarjes.

POLICIA

Më datën 22.02.2015, nga ana e Specialistëve të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër është bërë arrestimi në flagrancë i shtetases Dituri Meni, 62 vjeçe, banuese në Lagjen “18 Shtatori” Gjirokastër.

Arrestimi i saj u bë pasi:

Më datën 21.02.2015, rreth orën 21.00 në lagjen  “18 Shtatori” të qytetit Gjirokastër , në banesën e saj, kjo shtetase, në konflikt e sipër dyshohet ka goditur me thikë në gjoks, bashkëshortin e saj shtetasin Flamur Meni, 66 vjeç, i cili ka humbur jetën gjatë rrugës për në spital.

Grupi hetimor dhe eksperti mjeko-ligjor kanë kryer gjatë natës veprimet paraprake, ku në ndihmë të ekspertit mjeko-ligjor, gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme ka mbërritur një grup ekspertësh të Mjekisë ligjore nga Tirana, ku nga këqyrja që iu bë kufomës rezultoi se shkaku i vdekjes ka ardhur si pasojë e goditjes me thikë në zemër (6 cm).

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të “Vrasjes në familje”, parashikuar nga neni 79/ç i Kodit Penal.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb