VLORË

Ndonëse situata është drejt normalizimit, gjurmët e asaj që ndodhi dy ditë më parë janë ende të dukshme në Vlorë.

News24 ka parë nga afër situatën nëpër lagjet dhe rrugët e qytetit bregdetar, ku gazetari Enrik Mehmeti ka sjellë dëshmitë e banorëve të prekur nga përmbytjet dhe uji që vërshoi në banesat e tyre. Një grua e moshuar me lot në sy tregon se gjithçka është shkatërruar në banesën e saj.

“Gjysmë metër brenda uji, jashtë 1 metër. Shtëpia kallame. Kam 24 orë në këmbë. Po i hedh poshtë, nuk vlejnë më, vijnë erë. Ça të thotë nëna. Gjithçka është e shkatërruar. Gjithçka e përmbytur. Ja uji akoma në banesë.
Nuk ka ardhur asnjë të na pyesë a jeni gjallë a vdekur. Të gjitha banesat në lagje janë përmbytur”, tha gruaja.

Ajo tregoi se janë përmbytur dhe herë të tjera dhe nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim.
“Kemi marrë dy batanije ushtarake kur jemi përmbytur herën e kaluar. Dy batanije dhe unë dhe kjo gjitonja se shkuam bashkë. Erdhi një burrë dhe grua, dhe ne e kishim nxjerrë dollapin jashtë se s’kishim çfarë t’i bënim, ai tha ku di unë që s’e ke nxjerrë vetë. Shkatërrimi ka qenë njësoj. Niveli i ujit ishte pak më pak se kësaj radhe”, tha gruaja.

Gazetari Enrik Mehmeti raportoi se shpërndarja e ndihmave ka nisur që ditën e parë të përmbytjes dhe se autoritetet janë në terren.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb