Si sot 20 vite më parë Shqipëria zhvilloi një ndeshje historike përballë Greqisë. Një sfidë që do të mbetet gjatë në memorien e të gjithëve. Kombëtarja jonë më 4 shtator të vitit 2004 u ndesh me kombëtaren greke, me këta të fundit që vinin në Tiranë pasi u shpallën kampionë të Europës.

Shqipëria fitoi me rezultatin 2-1, një fitore që u festua anembanë botës, por kjo datë nuk do të kujtohet vetëm për këtë ndeshje të fituar nga kuqezinjtë. Pikërisht për shkak të kësaj ndeshje, mbeti i vrarë një tifoz shqiptar në Greqi. Gramoz Palushi asokohe ishte vetëm 20-vjeçar, teksa i mbështjellë me flamurin kuqezi kishte dalë në rrugët e Zakynthos të Greqisë për të festuar këtë triumf historik. Por kjo festë rezultoi fatale për Palushin, pasi ai u sulmua me thikë nga një shtetas grek duke e lënë të vdekur në vend.

Pikërisht në këtë datë, tifogrupi besnik i Kombëtares shqiptare, “Tifozat Kuq e Zi” apo siç njihen si “TKZ”, përkujtojnë djaloshin. Me anë të një postimi në faqen zyrtare, tifogrupi ka postuar foton e Gramoz Palushit dhe e shoqëron dhe me shkrimin “Gjithmonë me ne, Gramoz!”, duke përkujtuar kështu të ndjerin.

Tfk

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: