Menjëherë pasi Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën për listat e hapura në zgjedhjet e 11 majit 2025, ka reaguar partia Djathtas 1912.

Kjo parti politike shprehet se rrëzimi i kërkesës për listat e hapura është një lajm i keq për demokracinë në Shqipëri.

“Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar padinë e disa partive politike kundër paktit të Kodit Zgjedhor, të miratuar nga PS dhe PD, që u mohon qytetarëve shqiptarë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur deputetët me lista të hapura, është një lajm i keq për demokracinë në Shqipëri”, thuhet në reagim.

Reagim i “Djathtas 1912” pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzon kërkesën e disa partive për lista të hapura në zgjedhjet e ardhshme:

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar padinë e disa partive politike kundër paktit të Kodit Zgjedhor, të miratuar nga PS dhe PD, që u mohon qytetarëve shqiptarë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur deputetët me lista të hapura, është një lajm i keq për demokracinë në Shqipëri.

Përpjekjet tona për të kthyer listat e hapura si një e drejtë kushtetuese e qytetarëve, pasqyrojnë vullnetin e shumicës së tyre që kërkojnë garë të ndershme, konkurrencë mes partive politike dhe kandidatëve për deputetë, si dhe një parlament të ndërtuar me deputetë të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, të cilët janë të detyruar t’u japin llogari atyre, dhe jo kukulla te verbëra të kryetarëve të partive.

Duke shprehur keqardhjen për këtë vendim, i cili në frymë bie në kundërshtim të hapur me një vendim të mëparshëm të po kësaj gjykate, Djathtas 1912 shpreh vendosmërië që në zgjedhjet e 11 Majit të garojë me lista të hapura.

Ne do të donim që çdo parti politike të detyrohej nga ligji të zbatonte listat e hapura, si një detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë.

Megjithatë, në mungesë të kësaj, i mbetet vullnetit të partive të tregojnë kurajo politike dhe shërbim ndaj qytetarëve për të zbatuar listat e hapura me iniciativën e tyre.

“Djathtas 1912” ka zgjedhur që tani, të zbatojë listat e hapura, duke dhënë shembullin për respektim të zgjedhësve, llogaridhënie ndaj tyre dhe demokraci të drejtpërdrejtë.

Ne besojmë se pas 34 vitesh, Shqipëria ka nevojë për një parlament të vërtetë demokratik, dhe për këtë arsye kemi vendosur të jemi të parët që do t’i japim votës së qytetarëve vlerën që meriton, duke u përballur drejtpërdrejt me gjykimin dhe vlerësimin e tyre.

Ka ardhur koha që shqiptarët të vendosin vetë përfaqësuesit e tyre me “listat e qytetarëve” dhe jo “listat e kryetarëve”. Për këtë arsye, ne do të zbatojmë listat e hapura, duke i dhënë mundësi çdo individi, figure publike, të riu, në diasporë apo kudo tjetër, që ka dëshirë dhe vizion për të ndryshuar vendin, të garojë lirisht dhe të zgjidhet me mbështetjen e qytetarëve.

Vetëm një parlament i ngritur mbi parimin e sovranitetit popullor mund të prodhojë një qeveri të ndershme dhe institucione legjitime, që janë në shërbim të qytetarëve!

Në këtë kontekst, theksojmë se, pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, zbatimi i listave të hapura nga çdo subjekt politik që me të vërtetë ka premtuar këtë parim Kushtetues, është një domosdoshmëri për të çliruar parlamentin e shqiptarëve nga uzurpimi i binomit Rama-Berisha dhe strukturave të tyre, të cilat kanë mbyllur hapësirat për konkurrencë politike.

Djathtas 1912 mbetet e përkustuar për të bërë çdo përpjekje demokratike për t’u kthyer qytetarëve besimin tek demokracia, si e vetmja zgjidhje për një Shqipëri ku do të mbizotërojë prosperiteti, liria, përfaqësimi dhe optimizmi se e ardhmja mund të jetë më e mirë në Shqipëri!

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb