Sipas Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, as Kroacia dhe as Serbia nuk kanë kryer gjenocid gjatë luftërave të viteve ‘90 në Ballkan, kur Kroacia fitoi pavarësinë nga ish-Jugosllavia. Anëtari i gjykatës së Kombeve të Bashkuara Peter Tomka, duke shpallur vendimin tha se forcat e të dy vendeve kryen shumë krime, por asnjëra prej tyre nuk arriti të provojë se pala kundërshtare kreu gjenocid gjatë konfliktit, që shkaktoi 20 mijë viktima.
Kroacia ngriti aktpadi ndaj Serbisë në vitin 1999, duke thënë se një numër i madh kroatësh u vranë, u torturuan, u zhvendosën, ose u ndaluan në qendra izolimi, pasi forcat serbe dhe trupat e ushtrisë jugosllave morën kontrollin e qytetit të Vukovarit dhe zonat përreth.
Në vitin 2010, Serbia u kundërpërgjigj, duke ngritur edhe ajo padi ndaj Kroacisë, duke thënë se mbi 200 mijë serbë u dëbuan gjatë kundërofensivës kroate në një prej betejave përfundimtare të konfliktit në vitin 1995.
Të dy vendet kanë thënë se do ta pranojnë vendimin e gjykatës, që synon të qetësojë mosmarrëveshjet mes tyre.
(er.nu/voa/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: