TIRANE- Arrestohen dy anëtarë të bandës së Shullazit. Gazetarja e “News 24” Klodjana Lala raporton për ‘BalkanWeb’ se nga të dhënat paraprake bëhet fjalë për Endrit Qyqja dhe Endrit Zelën.

Nga video e siguruar nga ‘BalkanWeb’ shihet momenti i arrestimit të këtyre personave, në ambiente e një lokali shumë pranë burgut 313 në kryeqytet dhe Prokurorisë për Krimet e Rënda.

Siç duket edhe në video, në mbështetje të aksionit të policisë kanë qenë edhe një numër i madh i forcave ‘Shqiponja’, kjo dhe për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqesin të dy persona.


I arrestuar Endrit Qyqja
I arrestuar Endrit Qyqja

Dy persona në fjalë kishin planifikuar të takonin sot Emiljano Shullazin, i cili ndodhet në burg, nën akuzën për disa vepra penale, ku ndër to është edhe ajo për ‘gjobëvënie’ apo dhe kanosje ndaj ish-dekanit Mynyr Koni, tashmë rektor i UT-së. Qyqja dhe Zela, ky i fundit nipi i Shullazit, janë prangosur me urdhër të Krimeve të Rënda që u firmos dje. Sipas prokurorisë, 2 të arrestuarit akuzohen se i morën shuma parash një biznesmeni, përkatësisht 1 milion euro.


“15 minuta më parë u bë e mundur arrestimi i dy personave, të cilët vetëm një ditë më parë u caktua një masë për urdhër-ndalim në mungesë, pasi emrat e tyre dolën gjatë hetimit për çështjen Shullazi.”, tha gazetarja Klodjana Lala.


Sipas të dhënave, arrestimi i njërit prej tyre është bërë në ambientet e burgut, konkretisht në dhomën ku bëhet takimi me të burgosur. Ndërkohë, tjetri është arrestuar në lokal, shumë pranë burgut 313. “Ata paraprakisht akuzohen për gjobëvënie ndaj një biznesmeni të njohur dhe kanë marrë një çek me një vlerë 1 milion euro, në emër të Shullazit. Një oficer i policisë, kishte dy qese në dorë, një të bardhë dhe një të zeza, të cilat mbanin emrin e Emiljano, të cilat do ia çonin Shullazit në burg, ndërsa pohohet se brenda tyre nuk janë konstatuar ndonjë mjet i rrezikshëm”, pohoi Lala. Sipas Lalës, policia ka pasur informacione të dyshimta se një person lëvizte në këtë zonë me armë, ndërsa deri më tani nuk është parë asnjë.
(ed.me/BalkanWeb)