TIRANE –  Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar në gjykatë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tre shtetasve të ndaluar më datë 17.04.2016, Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, dhe Blerim Shullazi, kërkesë që u pranua nga Gjykata, e cila i la në burg tre të pandehurit.

Në dokumentin prej 4 faqesh, të firmosur nga prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, thuhet se këta tre persona “kanë shtrënguar nëpërmjet kanosjes për dhënien e pasurisë persona të njohur si biznesmenë të njohur të vendit dhe konkretisht Poje Troplini, Ardian Bardhi dhe Shefqet Kastrati”. Sipas prokurorisë, këta persona janë pronarë lokalesh, përfaqësues kompanish kafeje dhe biznesmenë në fushën e hidrokarbureve.

Por, dy prej biznesmenëve të përmendur në dosjen e organit të akuzës kanë hedhur poshtë pretendimet e prokurorëve, duke theksuar se nuk e njohin Emiljano Shullazin dhe nuk kanë pasur asnjë presion apo kërcënim prej tij. Shefqet Kastrati, President i “Kastrati Group” thotë se përmbajtja e shkresës së prokurorisë është trillim.

Ndërkohë biznesmeni Shefqet Kastrati në një deklaratë për mediat theksoi se nuk kishte pasur asnjë kontakt, bisedë, presion apo shantazh nga asnjë person. Biznesmeni thotë se nuk e njeh Emiljano Shullazin dhe asnjë person tjetër që ka lidhje me të. President i “Kastrati Group” i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisi menjëherë hetimet rreth shpërndarjes së lajmit se është gjobitur nga Shullazi.

DEKLARATA E PLOTE E KASTRATIT
“Duke u nisur nga publikimi në disa portale dhe media elektronike më dt. 19.04.2016, të një lajmi referuar një shkrese të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, ku përmendet emri i z. Shefqet Kastrati dhe kompania “Kastrati Group”, ju bëjmë me dije se:
“Lajmi i publikuar dhe përmbajtja e shkresës së cilës i referohet, janë gënjeshtra dhe nuk kanë të bëjnë me z. Shefqet Kastrati, kompaninë ‘Kastrati Group’, si dhe asnjë person tjetër që ka lidhje me ata.

Me përgjegjësi të plotë qytetare dhe morale deklarojmë se, nuk kemi pasur asnjë kontakt, bisedë, presion apo shantazh nga asnjë person, madje personat e përmëndur në lajm si, Emiljano Shullazi etj, nuk i kemi njohur kurrë. As prokuroria, policia dhe asnjë strukturë tjetër ligjzbatuese nuk është investuar nga ne dhe as nuk na ka kërkuar, pyetur apo verifikuar, rreth këtij aludimi të pavërtetë.
Përfshirja dhe implikimi në mënyrë të papërgjegjshme e Presidentit të Kastrati Group, nga institucione apo media të caktuara, pa asnjë lidhje me të vërtetën, pa fakte, ankesë, pyetje dhe verifikime, na bëjne të dyshojmë për veprime tendencioze të sponsorizuara nga konkurrenca e pandershme, me synim dëmtimin e imazhit dhe reputacionit të kompanisë dhe drejtuesit të saj.
I kërkojmë me forcë Prokurorit të Përgjithshëm të nisi menjëhërë hetimet rreth mënyrës së fabrikimit dhe shpërndarjes së kësaj shkrese dhe këtij lajmi të pavërtetë.
Ftojmë çdo organ ligjzbatues të bëjë publike provat dhe faktet mbi të cilat pretendohet, në të kundërt ju kërkojmë të bëni menjëherë përgënjeshtrimin.
Në rast të mosreagimit, do i drejtohemi organeve gjyqësore për të kërkuar zhdëmtimin e dëmit të shkaktuar, si pasojë e dëmtimit të imazhit dhe personalitetit.
Duke garantuar opinionin publik, klientët dhe bashkëpunëtorët tanë për integritetin, seriozitetin dhe korrektësinë tonë, ju kërkojmë mediave që e kanë publikuar të përgënjeshtrojnë këtë lajm dhe të gjitha mediave të publikojnë këtë deklaratë.
Me besimin në etikën tuaj profesionale dhe në respektim të së drejtës sonë ligjore dhe kushtetuese, mbetemi në pritje të reagimit tuaj. Shefqet Kastrati, President i Kastrati Group”.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb