Pas fitores me Teutën, korçarët janë të përqendruar te ndeshja e së shtunës me Dinamon në kampionat. Një ndeshje delikate, që për Skënderbeun vlen më shumë se gjithçka.
Pas një “vegjetimi” që zgjati më shumë se 3 muaj, korçarët rigjetën fitoren, që ka përmirësuar ndjeshëm anën psikologjike të lojtarëve. Megjithatë, përtej situatës pozitive në kampin bardhekuq, të gjithë e kanë të qartë se asgjë nuk vlen pa vazhdimësi, sepse Skënderbeu ndodhet në vend të fundit. Stafi teknik dhe drejtuesit e klubit duan që lojtarët të menaxhojnë emocionet, sidomos në ndeshje të vështira si kjo me Dinamon.
Përgatitjet në fushë janë shumë serioze, ndërsa trajneri Gjoka ka bërë një analizë, me anë të së cilës ka dashur të largojë euforinë. Ai ka theksuar se ekipi ka ende shumë punë për të bërë dhe përqendrimi duhet të jetë maksimal. Në analizë trajneri fillimisht vlerësoi shpirtin e ekipit për përmbysjen e rezultatit në ndeshjen e fundit dhe më pas kërkoi paraqitje akoma më dinjitoze ndaj Dinamos në transfertë. Ai e cilësoi suksesin ndaj Teutës si pikënisjen e kthesës së Skënderbeut, pasi rruga për të shkuar në vendin që i takon këtij ekipi është e gjatë.
MERKATO – Kur jemi në dy ditët e fundit të merkatos, ende në Korçë priten afrime për të plotësuar ekipin dhe për të rritur forcën e grupit. Pas Estrelës dhe Lukinas, të cilët kanë treguar vlera në këto javë të para si bardhekuq, trajneri Gjoka pret edhe dy afrime të fundit deri më 31 janar.
Drejtuesit e klubit juglindor po punojnë që të plotësojnë kërkesat e trajnerit, i cili kërkon një mbrojtës qendre dhe një mbrojtës krahu. Pritet që klubi të bëjë një sforco të fundit dhe mbetet të shihet se çfarë goditjesh do të bëhen, edhe pse dihet që është shumë e vështirë të gjesh elementë me kualitet në këtë periudhë.