NGA KLODIANA LALA*
TIRANE-I penduari i drejtësisë, në të ashtuquajturën ‘banda e tritolit’, Ndriçim Gjokona, nxjerr fakte tronditëse në dëshminë e tij dhënë para prokurorëve të Krimeve të Rënda. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot rrëfimin e “bashkëpunëtorit të drejtësisë” i cili thotë se brenda në qeli ka marrë oferta për të ndryshuar realitetin në dëshminë e tij, në këmbim të të mirave materiale. “Që ditët e para të arrestimit tim nga ana e Marion Mitros, më është ofruar në këmbim të dëshmisë time pro tij, që unë të pohoj se ai nuk ka asnjë lloj lidhje ose njohje me Julian Sinanajn. Për këtë kërkesë Marioni më ka ofruar një apartament dhe një shumë të papërcaktuar të hollash”, rrëfen Gjokona në dëshminë e tij para prokurorëve.

RREFIMI I GJOKONES
Afërsisht një vit pas vrasjes së Sokol Veizit dhe direkt pas prishjes së marrëdhënieve të Julian Sinanaj me Andon Mëhillajn, kam parë se Genis Mëhillaj së bashku me Marion Mitron, në prezencën time janë takuar në dy tri raste. Rasti i parë ka qenë pranë Shkollës së Marinës, në barin e një hoteli, ku në këtë takim ka qenë Marion Mitro, Genis Mëhillaj, Julian Sinanaj dhe unë. Të katërt kemi qëndruar në një tavolinë dhe pasi kemi pirë kafe nga ana e tyre më është kërkuar që unë të largohesha nga tavolina e tyre, sepse kishin një bisedë të tre, për të cilën unë nuk duhet të kisha dijeni. Mbas këtij takimi nga ana e Julianit, më është thënë se qëllimi i takimit ishte që të zbusnin konfliktin e Julianit me Andonin. Takimi i dytë ka qenë në rrugën “Transballkanike”, në një lokal në katin e dytë. Mbas këtij takimi, nga ana e Julianit mu sqarua qëllimi i tyre, ku më tregoi se ata i kishin afruar një punë, të kryente një vrasje, ku në këmbim të saj, do të fitonte një dyqan. Takimi i tretë ka qenë kur më ka dërguar Julian Sinanaj te lokal “X”, të shkoja të shikoja se kush ndodhej në lokal, sepse atje Juliani kishte lënë takim me Genis Mëhillajn, Marion Mitron dhe X. Pasi kam bërë verifikimin, i kam treguar Julianit, i cili më kërkoi që unë të vazhdoja, sepse ai do të takohej me ta. Pas këtij takimi, Juliani nuk ma tregoi qëllimin, por disa kohë më pas më tregoi se kishte të bënte me vrasjen, që ata i kishin kërkuar. Për këtë vrasje, nga ana e Julianit mu propozua që dhe unë të merrja pjesë në të, ku si përfitim do të merrja gjysmën e vlerës, që do të përfitohej nga shitja e dyqanit. Dua të sqaroj se gjatë kësaj kohe, dyqani i është dhënë me letra Julian Sinanajt, për të cilin më ka treguar se dyqani ishte marrë në emrin e nënës së tij, veprim i cili ishte bërë te noteri.

Kam për të shtuar se gjatë këtyre kohëve unë kam parë se në shoqërinë e Marion Mitros dhe Genis Mëhillajt, qëndronte biznesmeni i quajtur X., për të cilin di se merrej me ndërtim pallatesh. Me këtë person unë kam qëndruar 5-6 raste, kur kemi pirë kafe dhe kemi luajtur edhe futboll në kalçeto. Për X., di që është shoku i ngushtë i Marjon Mitros, me të cilin dyshoj se është ortak në biznes në fushën e ndërtimit të pallateve. E them këtë sepse gjatë kohëve të fundit që unë ndodhem në paraburgimin “Jordan Misja”, (burgu 313) Tiranë, kam arritur të kontaktoj me Marion Mitron, sepse kemi qenë në të njëjtin sektor dhe në qeli afër njëri-tjetrit. Që ditët e para të arrestimit tim nga ana e Marion Mitros, më është ofruar në këmbim të dëshmisë time pro tij, që unë të pohoj se ai nuk ka asnjë lloj lidhje ose njohje me Julian Sinanajn. Për këtë kërkesë Marioni më ka ofruar një apartament dhe një shumë të papërcaktuar të hollash. Gjatë bisedave me të nga sporteli në sportel, Marion Mitro më ka dërguar të fala nga X., ku më ka kërkuar që unë të sillja një nga familjarët e mi, për të më dhënë apartamentin në këmbim të dëshmisë. Gjithashtu ai më ka kërkuar numër të llogarisë bankare, që unë apo familjarët e mi kishim, ku në të do të hidhte një sasi të përcaktuar të hollash. Shpesh herë nga ana e tij, më janë dërguar te qelia ime, ushqime të ndryshme si dhe karta telefoni. Aktualisht di që është larguar nga sektori im. Gjatë këtyre kohëve ai është interesuar për mua, ku më ka dërguar të fala në disa raste. Për Marion Mitron, di se ai krahas personave të mësipërm, shoqërohet edhe me Y.. shoku i tyre është gjithashtu edhe personi i quajtur Z., për të cilin kam dijeni se ai lëviz i armatosur, pasi unë atij i kam parë të mbajë me vete pistoletë, të cilën shpesh herë ja linte dhe Genis Mëhillajt, kryesisht kur ky i fundit udhëtonte për në Orikum. Po ashtu di se në lidhje me ta është dhe …, mbiemrin e të cilit nuk e di, por di që është nga fshati Tragjas. Për këtë person kam dëgjuar se ka qenë i ndjekur penalisht ose i dënuar për një vrasje të kryer në Vlorë, ku për këtë arsye kam parë se ai lëviz i armatosur. Si lidhje të tyre shoqërore unë kam dijeni se është edhe një person tjetër, të cilit i thërrasin …, që është trup i gjatë, me flokë të rëna në pjesën e përparme dhe të sipërme të kokës.

BANDA E TRITOLIT”

Të pandehurit:
Julian Sinanaj, bashkëpunëtor i drejtësisë
Ndriçim Gjokona, i penduari i drejtësisë
Andon (Erjon) Mëhillaj
Genis (Gentjan) Mëhillaj
Ilir Karçini
Albin Mexhaj
Marjon Mitro

Akuzat kryesore:
Vrasje me paramendim për interes, të shtetasit Sokol Veizi, vepër penale e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Julian Metushi, vepër penale e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Vepra me qëllime terroriste, kryer në bashkëpunim me formën e grupit të strukturuar kriminal, që kanë shkaktuar shkatërrim serioz të pronës private si dhe kanë synuar vrasjen e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNIT dhe kandidat për deputet të subjektit elektoral të PD-së, z.Ardian Kollozi.
Vrasje me paramendim për interes të shtetasit Agron Çela, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Vepra me qëllime terroriste mbetur në tentativë, që ka synuar vrasjen e shtetasit Besnik Dervishi, ish–prefekt i Qarkut të Vlorës.
Sigurimit të kushteve dhe burimeve të tjera materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Pirro Bare, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Prodhimit dhe mbajtjes pa leje në ambiente publike të armëve dhe municionit luftarak.
Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Kryerje e veprave nga grupi i strukturuar kriminal.
Trafikimit të armëve dhe municionit luftarak.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb