TIRANË

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj e sheh si paragjykim nga ana e Presidentit mënyrën se si do të shkojë hetimi i çështjes “Dvorani”. Gjonaj deklaroi në “Real Story” në News24 se KED ka vepruar sipas ligjit dhe Kushtetutës por nëse vërtetohet se ka një abuzim me detyrën apo tejkalim kompetencash, pasojat do të ishin shumë të rënda.

“E prezantoi Presidenti i Republikës duke dashur të japë një paragjykim për mënyrën se si do të shkojë hetimi i çështjes ‘Dvorani’ mua nuk më la aspak shije të mirë. Sepse drejtësia e re është ajo që duhet ta provojë në çdo vendim edhe ndaj një qytetari të thjeshtë dhe jo asaj që Presidenti thotë. Por për pjesën e kallëzimit penal, nëse Presidenti apo kushdo tjetër mendon që ka faktet të cilat e implikojnë apo ka një abuzim detyre të një organi kolegjial për mënyrën se si ka vepruar, atëherë padyshim ka gjithë të drejtën për ta bërë. Unë mendoj se KED ka vepruar sipas ligjit dhe sipas Kushtetutës. Padyshim do ishin shumë të rënda pasojat nëse do të vërtetohej se aty ka një abuzim me detyrën apo ka një tejkalim të kompetencave”, tha Gjonaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: