Ministrja e Drejtësisë, zj. Etilda Gjonaj ka kryesur delegacionin shqiptar në takimin e parë shpjegues të Legjislacionit të BE për kapitullin 23 të negociatave të anëtarësimit “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” mes Komisionit Evropian dhe Shqipërisë e Maqedonisë, që po mbahet në Bruksel.

Duke marrë fjalën në takim ministrja Gjonaj ka theksuar se Qeveria Shqiptare e shikon procesin e integrimit në BE si një rrugë transformimi dhe një mundësi për të vijuar me reformat e thella, që do ta bëjnë Shqipërinë pjesë të familjes së madhe europiane.

Sipas saj, pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë tryezë do të rrisë presionin pozitiv për të ecur më shpejt në rrugën e reformave dhe për të rritur përgjegjshmërinë e Qeverisë në drejtimin e këtyre proceseve. Nga ana tjetër Komisioni Europian do te ketë më shumë kontroll në proceset e reformave, nga ana ligjore dhe politike.

Ministrja Gjonaj ka theksuar se reforma në drejtësi është një proces i pakthyeshëm tashmë dhe se ajo po jep rezultatet e para shumë të rëndësishme për pastrimin e sistemit gjyqësor nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.  Ky është i pari i një serie takimesh që do të zhvillohen me Komisionin Evropian për kapituj të ndryshëm të negociatave të anëtarësimit. Takimet e shpjegimit të legjislacionit të BE dhe të ekzaminit të shkallës së përputhjes së legjislacionit të vendit kandidat normalisht zhvillohen pas hapjes zyrtare të negociatave.

Fillimi i këtij procesi u bë i mundur në sajë të vendimit të Këshillit të Ministrave të BE në qershor, i cili përcaktoi rrugën për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe autorizoi Komisionin për fillimin e punës përgatitore. Kësisoj, takimi i 27-28 shtatorit shënon fillimin e punës teknike të negociatave të anëtarësimit, nëpërmjet së cilës Shqipëria fiton kohë në procesin e mirëfilltë të negociatave.

Gjatë takimit, delegacioni shqiptar do të njihet me aktet ligjore dhe politikat kryesore të Bashkimit Evropian që synojnë ngritjen dhe zhvillimin e një sistemi drejtësie të pavarur dhe efiçent. Në takim gjithashtu trajtohen lufta kundër korrupsionit dhe të drejtat themelore të njeriut e të drejtat e qytetarëve të Bashkimit Evropian, sikurse garantuar nga Karta e të Drejtave Themelore dhe legjislacioni i Bashkimit Evropian, duke përfshirë këtu mbrojtjen e të dhënave personale, barazinë gjinore, mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, mbrojtjen e minoriteteve, përfshirjen e Romëve, etj.

Në përbërje të delegacionit shqiptar janë edhe zv. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj, si dhe përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Brendshme, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, etj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb