TIRANE- Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj kritikoi opozitën nga foltorja e Kuvendit, duke e akuzuar se është përpjekur të bllokojë Reformën në Drejtësi dhe procesin e Vettingut në sistemin gjyqësor.

“Në vend që të kërkonit e propozonit zgjidhje për skemën e ndihmës ekonomike, kërkuat financime në burime të errëta dhe shumë të dyshimta për të bllokuar Vettingun, zgjedhjet dhe rrugën europiane të Shqipërisë”, tha Gjonaj, gjatë fjalës së mbajtur në debatin e zhvilluar në seancën plenare të Parlamentit.

Ministrja theksoi se synimi i opozitës nuk është mbështetja e familjeve në nevojë, por bllokimi i reformave të qeverisë. Sipas ministres Reforma në drejtësi ka nisur të japë efektet e para pozitive dhe ajo tashmë është e pandalshme.

“Në sistemin e ri të drejtësisë, askush nuk do të ketë mundësi t’i fshihet drejtësisë, duke përdorur akrobaci procedurale, siç keni bërë deri tani dhe as të përfitojë në kurriz të qytetarëve të pambrojtur dhe pa pushtet ekonomik e politik”, është shprehur Gjonaj, duke i drejtuar në këtë mënyrë një paralajmërim të drejtpërdrejtë kreut të PD.

Më tej, Gjonaj nënvizoi se ndihma ekonomike ka qenë për dy dekada dhe më shumë, një mekanizëm i padrejtë dhe i korruptuar. Sot me skemën e re, falë kësaj reforme, ndihma ekonomike shkon tek më të varfrit dhe garanton parimin e shpërndarjes së drejtë sipas nevojës.

Ministrja më tej i është referuar reformës në drejtësi, si një pjesë e rëndësishme e shtetit social, të cilën tha se po e realizohet për qytetarët, që të mos shpenzojnë më kohë në procese të blera gjyqësore, të mos zvarriten më dyerve të gjykatave dhe të rifitojnë të drejtën e tyre të nëpërkëmbur prej dekadash.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb