Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi gjatë raportimit javor të rezultateve të luftës kundër korrupsionit se Task Forca Antikorrupsion do shtojë vëmendjen ndaj këtij fenomeni edhe në sistemin arsimor.

Kjo ka qenë edhe një nga problematikat e ngritura nga studentët në bashkëbisedimet që Kryeministri është duke zhvilluar me ta gjatë ditëve të fundit.

“Në kuadër të Paktit për Universitetin që po përgatitet me pedagogët dhe studentët, gjej rastin që të deklaroj se përveç masave legjislative dhe parandaluese që do të ndërmerren në luftën kundër korrupsionit në arsim, një vëmendje e shtuar do të marrë nga Task Forca Antikorrupsion, fenomeni i korrupsionit në sistemin arsimor”, u shpreh Gjonaj.

Ministrja e Drejtësisë ftoi të gjithë studentët dhe pedagogët të denoncojnë çdo rast korrupsioni në sistemin arsimor jo vetëm për të parandaluar korrupsionin, por edhe për të ndëshkuar këdo që bën korrupsion me të ardhmen e studentëve.

Në këtë linjë, gjatë raportimin javor ministrja përmendi rastin e procedimit penal nga Policia e Shtetit të një pedagogu në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit në Universitetin e Vlorës, i denoncuar në media për marrje ryshfeti në këmbim të dhënies së provimit.

Gjatë daljes së saj publike, ministrja Gjonaj prezantoi edhe masat e marra në luftën kundër korrupsionit, të cilat sipas saj shkojnë në dy drejtime, nga njëra anë për të parandaluar fenomenin përmes dixhitalizimit të sistemeve të reja të shërbimit ndaj qytetarëve dhe nga ana tjetër përmes masave ndëshkuese të Task Forcës Antikorrupsion.

Objekt i kontrollit të Task Forcës në dy javët e fundit kanë qenë Drejtoritë e Shërbimeve të Transportit rrugor në Tiranë dhe Elbasan, ku janë konstatuar shkelje ligjore dhe administrative gjatë organizimit të testeve për marrjen e patentave. Për këtë arsye është rekomanduar dhënia e 13 masave disiplinore për përgjegjës dhe specialistë pranë këtyre drejtorive.

Ndër këto masa përfshihen 2 largime nga puna, për Përgjegjësin e Sektorit të Testimeve, Dega e Drejtuesve të mjeteve në Tiranë dhe për Kryetarin e Degës së Drejtuesve të Mjeteve në Elbasan.
Në cilësinë e Koordinatores Kombëtare Antikorrupsion, Gjonaj ka renditur edhe rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit.
Sipas saj gjatë dy javëve të fundit janë evidentuar 55 vepra penale në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës nga funksionarët publikë si dhe janë proceduar penalisht 80 autorë, nga të cilët 11 autorë të arrestuar apo ndaluar dhe 69 të tjerët ndiqen në gjendje të lirë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb