TIRANË- Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha priti ne një takim homologun e Republikës së Kosovës, Bekim Çollaku. Gjatë takimit, bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera vëllazërore mes dy vendeve. Dy ministrat diskutuan në lidhje me thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit për procesin e integrimit, i cili mbetet sfida kryesore e Shqipërisë dhe Kosovës.


Të dy homologët vlerësuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona. Ministrja Gjosha theksoi se Shqipëria dhe Kosova do të ecin krah njëra tjetrës në rrugën e nisur, duke forcuar sistemin e vlerave dhe plotësuar standardet e kërkuara nga partnerët evropianë.
Sipas ministres Gjosha solidariteti, marrëdhëniet e fqinjësisë të mirë, duhet të jenë kryefjala jonë në këtë rrugëtim. “Kjo frymë duhet të na udhëheqë në çdo hap që hedhim për t’iu afruar familjes evropiane”, tha Gjosha.
Dy Ministrat, shkëmbyen ide për realizimin sa më të mirë të projekteve që Shqipëria ka me Kosovën, por edhe me vendet të tjera të rajonit, të cilat realizohen me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.
Ministrat, shprehëm dakordësinë se Shqipëria dhe Kosova, janë të angazhuara maksimalisht që të intensifikojnë bashkëpunimin rajonal, të kornizuar edhe më mirë me Konferencën e Berlinit në 2014. Kjo konferencë, përcaktoi vizionin e qartë kolektiv për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, e cila nuk mund të jetë tjetër veçse në BE.
Ministrja Gjosha, siguroi se Shqipëria do të asistojë dhe mbështesë Kosovën, në të gjitha fazat e procesit të integrimit të cilat vendi i ka kaluar më herët.
“Procesi i integrimit është sfidë e vendeve tona dhe gjithë rajonit, ndaj duhet të punojmë bashkërisht për ta realizuar atë sa më shpejt. Vetëm kështu do të mund ta çojmë përpara dhe të zhvillojmë më tepër vendet tona”, tha Gjosha.
Ndërsa Ministri Çollaku, pasi e njohu ministren me hapat që ka ndërmarrë Kosova në funksion të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, e falënderoi për ndihmën e dhënë nga qeveria shqiptare, veçanërisht për përafrimin e legjislacionit.
“Axhenda jonë është e përbashkët për procesin e integrimit, ashtu sikurse edhe angazhimi për të përmbushur standardet dhe për ta përshpejtuar atë për secilin nga vendet tona”, tha ministri Çollaku.
Pas takimit dy Ministrat mbajtën edhe një Konferencë të përbashkët për shtyp.


(a.h/BalkanWeb)


Etiketa: