TIRANE- Në ditën e fundit të shkollës për këtë vit, Ministrja e Integrimit Evropian, znj. Klajda Gjosha, zgjodhi që urimin e parë për festa ta ndajë me nxënësit e Institutit Kombëtar të Fëmijëve që nuk dëgjojnë.

Të 103 fëmijët e këtij Instituti, në bashkëpunim me Institutin e të Verbërve, kishin përgatitur një program argëtues me këngë e valle, enkas për festat e fundvitit. Ministrja Gjosha përshëndeti nxënësit dhe përgëzoi mësuesit për punën e përditshme e cila mbart jo pak vështirësi.

Ministrja Gjosha, theksoi se e drejta për tu arsimuar është një e drejtë themelore për këdo dhe është detyrë e çdo qeverie të krijojë kushtet më të mira për kategori të veçanta, duke respektuar të drejtat e tyre, duke ofruar lehtësi në arsimim dhe infrastrukturë.

“Dua t’ju garantoj se angazhimi ynë është maksimal në këtë drejtim, pasi vetëm duke pasur një shtet social, që i jep vëmendjen e duhur fëmijëve si ju, që u jep mundësinë të cilat më herët u kanë munguar, ne do të mund të kemi një shoqëri më të zhvilluar e për rrjedhojë do të mund ti afrohemi standardeve të familjes evropiane”, tha Ministrja Gjosha.

Ministrja Gjosha theksoi se iniciativa e ndërmarrë nga qeveria shqiptare pak ditë më parë, me një projekt të ri i cili u mundëson nxënësve që të mësojnë me tableta ku ka programe të personalizuara, tregon për vëmendjen që i kushtohet këtyre fëmijëve. “Në vijim do të ketë projekte të tjera, të cilat do të mbështesin Institutin tuaj, për tua lehtësuar sa më shumë të mësuarit”, tha Ministrja Gjosha. Për të 103 nxënësit e këtij Instituti, Ministrja e Integrimit shpërndau edhe dhurata.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb