Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha përmes një statusi në “Facebook” shprehet se kjo verë, në vend se të jetë e mbushur me pozitivitet, ka vetëm trishtim.

Gjosha thotë se në parlament u kaluan ligje që janë shteruese, kurse vlerëson se një vend pa Gjykatë Kushtetuese, ku drejtësia është marrë peng, nuk mund të bëjë përpara drejt BE-së.

Reagimi i Gjoshës:

Në këto ditë të nxehta Korriku, duket sikur gjithcka është e qetë, por e vërteta është krejt ndryshe nga pamja e parë. Është një verë e mbushur me trishtim ku situata politike dhe ekonomike sa vjen dhe rëndohet.

Parlamenti dje i ka dhënë fund sezonit të punimeve duke kaluar me shpejtësi projektligje që nuk mund kurrësesi të diskutoheshin në një ditë, që nga projektligji për koncensionet, të cilat kanë rrënuar ekonominë shqiptare e deri te propozimet për të ndaluar daljen jashtë Shqipërisë të qytetarëve që sipas mazhorancës kryejnë krime elektorale! Nisëm kjo në kundërshtim të plotë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Ku pasi Kryeministri u mundua të dakordësonte me vendet anëtare pezullimin në zonën schengen të këtyre personave, kuptoi se BE nuk funksionon nën urdhërat e tij, por në bazë të parimeve, vlerave dhe vendimeve Kolegjiale, në respekt të Aquis Communitaire dhe Konventës Europiane për të drejtat e njeriut. Cudi si nuk pati askënd ta këshillonte, që urdhërat arbitrar të autokratëve nuk gjejnë mirëkuptim në vendet demokratike, ku shteti i së drejtës është mbi cdo gjë tjetër!

Kuvendi i mbylli dyert ditën e djeshme, duke lënë ende në pritje zvarritjen e gjatë të miratimit të kandidaturave për Gjykatë Kushtetuese. Interes ky i drejtë për drejtë i mazhorancës që kjo Gjykatë të jetë jo funksionale. Fundja për cfarë do t’i interesonte ky institucion një grupi njerëzish që kuptuan se pa të qeverisja është shumë më e thjeshtë, duke i mbyllur gojën cdo zëri kundër! Kur në fakt, Gjykata Kushtetuese është e vetmja që mund të rikthej Shqipërinë në shinat e ligjit dhe Kushtetutës, në shinat institucionale të funksionimit të shtetit. Ajo mund t’i japë fund debatit për zgjedhjet farsë të 30 Qershorit dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve me standarte në këtë vend! Ajo mund të clirojë tensionin e krijuar mes kryebashkiakëve që janë në detyrë përballë shtetit anti ligjor! Por mbi të gjitha mund t’i japë fund rrëmujës dhe shpartallimit të sistemit të drejtësisë, ku nuk dihet më se cila gjykatë duhet të marrë vendime për precedentë të caktuar!

Ky është një turp për një vend që kërkon të celë negociatat, për një vend që kërkon të rritet dhe të maturohet politikisht. Është një fatkeqësi për qytetarët e ndershëm të këtij vendi, që edhe pse me shumë sakrifica nuk po arrijnë dot të gjejnë të ardhmen e tyre në Shqipëri, duke vazhduar kështu largimin në masë për të rigjetur shpresën diku tjetër. Edhe sa kohë duhet të presi gjenerata e re, që Edi Rama t’i thërrasë mendjes se pushteti i tij personal nuk mund të mbahet më duke penguar të ardhmen e rinisë, shpresën dhe ëndrrën e tyre?!

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb