TIRANË- Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, mbylli vizitën e saj zyrtare në Gjermani. Ditën e fundit të qëndrimit në Berlin, Ministrja Gjosha, zhvilloi një takim me Zv. Këshilltarin e Kancelares Anxhela Merkel, për Çështjet Europiane, Franz Neueder.


Gjatë këtij takimi Ministrja Gjosha, theksoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar me reformat që i shërbejnë procesit të integrimit. Ministrja nënvizoi rëndësinë që ka për Shqipërinë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor, avancimi me axhendën evropiane, si një sfidë e përbashkët për transformimin e këtyre vendeve.


Ministrja Gjosha, pasi shprehu falënderimet për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë dhe po i jep Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, theksoi se çdo hap përpara me procesin e integrimit, është një shtysë e mëtejshme për zhvillimin e vendit, konsolidimin e demokracisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës.


Zv. Këshilltari i Kancelares gjermane, Anxhela Merkel, shprehu mbështetjen e Gjermanisë për procesin e integrimit të Shqipërisë, si dhe nënvizoi si kusht për të ecur përpara, përmbushjen e detyrimeve dhe reformave që i janë lënë vendit.

Takimi me Kryetarin e Komisionit parlamentar për çështjet e BE-së në Bundestag, z. Günther Krichbaum.

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, zhvilloi një takim me Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Çështjet e BE-së në Bundestag, Günther Krichbaum.

Gjatë këtij takimi, ministrja theksoi se Shqipëria ka ndërmarrë reforma edhe më të rëndësishme pas marrjes së statusit të vendit kandidat dhe po punon për përfundimin sa më të shpejtë të reformës në Drejtësi, e thelbësore për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Ministrja Gjosha theksoi se bashkëpunimi me opozitën për procesin e integrimit ka një rol të rëndësishëm dhe vullneti e angazhimi i të gjitha palëve politike për të realizuar një reformë të thellë në sistemin e Drejtësisë nuk ka munguar.

“Kjo është një dëshmi për peshën që ka kjo reformë, e mbi të gjitha për kontributin e të gjithë klasës politike në Shqipëri, e cila për çështje madhore që i shërbejnë të ardhmes evropiane të vendit, sigurisht që mund dhe duhet të gjejnë konsensus e bashkëpunim”, tha Ministrja Gjosha.

Günther Krichbaum, u shpreh se reformat që po ndërmerr Shqipëria i shërbejnë së pari këtij vendi, transformimit të tij, por gjithashtu nënvizoi se këto reforma duhet të inplementohen, çka është më e rëndësishmja.

Kryetari i Komisionit parlamentar për çështjet e BE-së në Bundestag, z. Günther Krichbaum, tha gjatë takimit se Gjermania do të mbështesë me ekspertizë procesin e integrimit të Shqipërisë.

Bashkëbiseduesit u ndalën tek bashkëpunimi rajonal, shkëmbimi i eksperiencave mes të rinjve të rajonit, si një investim për të ardhmen e përbashkët të këtyre vendeve në Bashkimin Europian.

“Gjërat mund të ndryshojnë. Është i domosdoshëm të ndryshojë mentaliteti i shoqërive dhe për këtë ju duhet ta nisni me të rinjtë, është një investim që ja vlen dhe i shërben të ardhmes”, tha Krichbaum.

Takimi me znj. Petra Ernstberger, anëtare e Bundestagut Gjerman

Takimin e fundit në Bundestag, Ministrja Gjosha e zhvilloi me znj. Petra Ernstberger, anëtare e Bundestagut Gjerman. Takimi u fokusua të kriza e emigrantëve dhe përpjekjet e Shqipërisë për të çuar përpara procesin e integrimit.

Ernstberger, u shpreh se Shqipëria po tregon vendosmërinë e saj për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, si dhe theksoi se Gjermania do të japë mbështetjen e saj, pasi e ardhmja e Shqipërisë është në BE.

“Ju po bëni hapa të rëndësishëm me procesin e integrimit dhe ne do t’ju mbështesim. Ne e duam Shqipërinë të jetë pjese e Bashkimit Europian, por gjithashtu ne duam që ju të ndërmerrni të gjitha reformat për të zhvilluar vendin tuaj”, tha Ernstberger.
Duke u ndalur te azilkërkuesit nga Shqipëria, Ernstberger u shpreh se kjo nuk është rruga e duhur për të rinjtë shqiptarë dhe se Shqipërisë i duhen të rinjtë brenda vendit, për këtë shteti shqiptar duhet të gjejë të gjithë mekanizmat për t’i atyre shanse që ata të mos e mendojnë largimin nga vendi.

Ministrja Gjosha, shprehu mirënjohjen për mënyrën si Gjermania ka menaxhuar kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë, në një kohë kur ardhja e emigrantëve nga Siria,kërkon zgjidhje emergjente.

Ministrja Gjosha, theksoi gjithashtu se po merren të gjitha masat për të ndaluar këtë fenomen. Ministrja theksoi se është dhënë mesazhi i qartë për të gjithë shqiptarët se nuk do të përfitojnë azil në Gjermani.

“Në bashkëpunim me ambasadën Gjermane dhe të gjithë institucionet shtetërore, ne u kemi bërë apel qytetarëve tanë të ndalin kërkesat për azil , pasi së pari kjo rrugë që ata kanë zgjedhur i dëmton ata dhe imazhin e Shqipërisë. Gjithashtu qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht për ta parë në thellësi këtë fenomen social, duke ofruar më shumë mundësi për të rinjtë, në mënyrë që ata të kenë hapësira në tregun e punës brenda dhe jashtë vendit”, tha Ministrja Gjosha.

(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: