POGRADEC- Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha mori pjesë në një takim me të rinjtë dhe të rejat në qytetin e Pogradecit, së bashku me kandidaten e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Pogradecit, Diana Mile. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe deputetë të qarkut Pogradec.

Kandidatja për kryetare e Bashkisë Pogradec, Diana Mile siguroi të rinjtë se projektet për të zhvilluar qytetin do të zgjidhen dhe do të zbatohen bashkërisht me komunitetin.

Ajo tha se objektivi kryesor në alternativën dhe platformën e saj është që qyteti i Pogradecit t’u rikthehet të rinjve. “Të mos lejojmë më që djemtë tanë të çohen në mëngjes me dëshirën për të ikur nga ky qytet. Duhet t’u ofrojmë mundësitë e një jete më të mirë këtu në Pogradec”, shtoi Mile.

Ndërsa, Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim dhe njëkohësisht e deleguara e LSI-së për qytetin e Pogradecit, Klajda Gjosha, u shpreh gjatë fjalës së saj se zgjedhjet lokale të 21 qershorit janë zgjedhjet e qytetarëve, ndaj edhe energjia e të rinjve është e domosdoshme që kjo votë të shkojë për alternativën më të mirë.

“Unë jam e bindur që znj. Mile ka gjithë vizionin për të sjellë ndryshimin në këtë qytet kaq të bukur, që natyra i ka falur gjithçka dhe që mund të ofrojë mundësi të jashtëzakonshme për turizmin. Duke transformuar Pogradecin do të mund të transformohet jeta e qytetarëve dhe do të ketë rrjedhimisht një ekonomi më të zhvilluar, e më shumë mundësi punësim”, tha Gjosha.

Më tej, ajo theksoi se vota për një kandidate grua do të jetë vota për një zë më të fortë bashkëpunimi, teksa shtoi se ndihet krenare që pogradecarët mbështesin një kandidate si Mile, e cila sjell një energji të re dhe një shpirt të ri në këto zgjedhje.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb