TIRANË

Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha ka komentuar nga studio e News24 zhvillimet politike në vend, aksionet opozitare dhe vendimet për të ardhmen.

Nisur nga vendimet e dala së fundi nga selia e PD-së por edhe nga LSI, Gjosha tha se po shkohet drejt një koalicioni opozitar që i jep shpresë qytetarëve shqiptarë.

Ajo solli një tablo të zymtë të realitetit, teksa tha se parlamenti sot ka vetëm një parti politike dhe se jemi në kushtet e një grushti shteti.

“LSI ka mbledhur kryesinë dhe grupin parlamentar. PD ka pasur takimet me instancat e saj ku unë besoj që është marrë një vendim që ka rëndësi për publikun që ka të bëjë me zyrtarizimin e gjithë frontit opozitar. Po shkohet drejt një koalicioni opozitar që i jep shpresë qytetarëve shjqiptarë. Vendi nuk ka një arbitër që t’iu thotë palëve se kush ka të drejtë dhe në cilin drejtim duhet të shkojmë. Sot parlamenti ka vetëm një parti politike, siglat e tjera janë inekzistente.
Kushtet për të hyrë në zgjedhje? E para krijimi një qeverie tranzitore që të mos ketë lidhje me këta individë të sotëm që janë shkaktarë të rënies së sistemit. Të ketë në krye figura që nuk janë të lidhura me krimin e organizuar.
Besoj që kjo qeveri do të krijojë një klimë dialogu dhe me palën opozitare. Ne kërkojmë një ekip përballë të cilit mund t’i bisedojmë dhe ta çojë vendin drejt zgjedhjeve.
E dyta, duhet t’i japim përparësi reformës në drejtësi. Në këto momente që flasim reforma në drejtësi është në pikëpyetje të mëdha, jo vetëm nga opozita por edhe nga qytetarët. Jemi para një grushti shteti dhe mënyra e vetme është çlirimi i sistemit, krijimi i një qeveri të re. Opozita kërkon të vijë në pushtet me votë dhe besoj këtë do ta realizojmë. Mendoj se koha do t’i japë të drejtë opozitës për vendimin që ka marrë për djegien e mandateve”, deklaroi Gjosha.

Ish-deputetja e LSI foli dhe për deputetët e rinj në parlament.
“Është një teatër kukullash për mua. Kur kemi qenë në Kuvend kemi dëgjuar shpesh kritika për mënyrën si funksiononte Kuvendi, por sot besoj që degradimi është shumë i rëndë. Nuk dua të bëj analizën ligjore se sa përfaqësues të qytetarëve shqiptarë janë atë, se sa punë kanë bërë para zgjedhjeve të vitit 2017”, u shpreh Gjosha.

Sa i përket protestave dhe përplasjeve, ajo akuzoi policinë. Gjosha tha se qytetarët janë të revoltuar dhe kryeministri duhet të bëjë hapa pas.

“Në të gjitha protestat ka pasur përplasje të panevojshme me Policinë e Shtetit. Mund të ketë qytetarë, revolta e të cilëve ka shkuar aty ku nuk mban më. Nuk bëhet fjalë më se çfarë ka ndodhur me zgjedhjet në këtë vend por se çfarë bëhet me ekonominë në këtë vend. Revolta qytetarë është jashtëzakonisht e madhe. Ajo çka nuk duhet të ndodhë është arroganca nga maxhoranca, duke hequr të drejtën e tyre për të protestuar apo dhe menduar ndryshe.
Kemi të bëjmë me një ngërç të thellë politik. Është krizë politike dhe kushtetuese dhe ka të bëjë me individin që është në krye të kësaj qeverie, ndaj ai duhet të bëjë hapa pas”, deklaroi Gjosha.

Ish-ministrja komentoi edhe vendimin e parlamentit holandez për rikthimin e vizave për shqiptarët duke kritikuar qëndrimin e ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj. Ajo tha se ai nuk duhet të dilte në TV por të zhvillonte takime me ministrin holandez e të ndërmerrte hapa kundër këtij vendimi.

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb