TIRANE

Ish-ministra e Integrimit, Klajda Gjosha e ftuar në rubrikën “Opinion” në NeWs 24,  ka komentuar edhe lëvizjet e fundit në qeverinë e kryeministrit Edi Rama dhe mosdekretimin e Gent Cajkës në krye të Ministrisë së Jashtme.

Gjosha u ndal te vendimet e Presidentit Meta, ndërsa shtoi se ai vetëm ka bërë detyrën e tij kushtetuese dhe për këtë arsye ka edhe mbështetjen e gjithë opozitës. Ish-ministrja e Integrimit, teksa komentoi mosdekretimin e Cakajt  tha se nuk është e rëndësishme të lexosh libra, por të kesh eksperiencë.

“Unë besoj që Presidenti, Meta ka kryer detyrën e tij kushtetuese dhe ka patur një mbështetje nga të gjithë ne.  Nuk është e rëndësishme sa libra ke lexuar, por është eksperienca”, u shpreh ajo.

Gjosha u ndal edhe te protestat e paralajmëruara nga opozita, ajo u shpreh se është një sfidë më vete të ngresh qytetarët shqiptarë në protestë.

“Ka një komunikim intensiv të dy partive për t’u organizuar me protestat. Kushdo që do të bëhet pjesë e protestës është e mirëpritur. Në protestë ne ngrihemi për atë që vërtet shkon keq, por edhe për t’i përfituar alternativa. Është shumë e rëndësishme dhe sfidë e opozitës. Të ngresh në protestë njerëzit është shumë e vështirë se Shqipëria është një vend i varfër. Protesta është mënyra më e mirë për të vënë përpara përgjegjësisë një qeveri arrogante”, tha ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb