TIRANË- Ministrja Gjosha ka pritur sot ambasadoren e Mbretërisë së Spanjës Silvia Cortes Martin, ndërsa deklaroi gjatë bisedës se integrimi i vendit në BE, është një rrugë pa kthim dhe se për këtë qëllim qeveria dhe shteti shqiptar është i angazhuar maksimalisht për kryerjen e reformave.


Bashkëbisedueset vlerësuan marrëdhëniet e mira të Shqipërisë me Spanjën, dhe theksuan rëndësinë e intensifikimit të këtyre marrëdhënieve. Ministrja Gjosha e vuri në dijeni ambasadoren Martin, për hapat që Shqipëria ka bërë për procesin e integrimit, duke e falënderuar për mbështetjen, që Spanja i dha Shqipërisë, për marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Ne jemi të vetëdijshëm që kemi përpara shumë sfida të cilat duhet t’i kalojmë dhe mbështetja e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian është për ne shumë e rëndësishme. Shqipëria është në rrugë të mbarë në procesin e integrimit. Janë një sërë reformash që qeveria është e angazhuar maksimalisht t’i përfundojë, pasi i shërbejnë të ardhmes së vendit. Për ne integrimi në Bashkimin Evropian, mbetet prioritet kombëtar një rrugë pa kthim pas”, tha Ministrja Gjosha.
Ambasadorja Silvia Cortes Martin vlerësoi reformat e ndërmarra deri tani duke theksuar domosdoshmërinë e plotësimit të standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian për çdo shtet që aspiron të jetë pjesë e tij.


(m.k/BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb