Bashkimi Evropian ka reaguar pas deklaratave të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç, e cila pëdori fjalor fyes ndaj liderëve politikë në Kosovë.

Në një përgjigje dhënë REL, Maja Kocijançiç zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Federica Mogherini, ka thënë se “ngjarjet e ditëve të fundit kanë treguar qartë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, duhet të rezultojë me një marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjatë për normalizim të marrëdhënieve” dhe se status-quoja nuk është mundësi.

Pas deklaratës së kryeministres serbe gjatë ditës ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se gjuha e përdorur nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, është “edhe një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës”. Bërnabiq i ka bërë këto komente në prani të ambasadorit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi, andaj Thaçi i ka kërkuar BE-së që sa më shpejt ta dënojë dhe të distancohet nga kjo “gjuhë raciste” e zyrtarëve të Serbisë, e cila, sipas tij, nxit urrejtje dhe i minon përpjekjet për pajtim dhe normalizim.

Kosova dhe Serbia, kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e BE-së në vitin 2011. Procesi i bisedimeve aktualisht ka ngecur, për shkak të, siç është thënë, taksës prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb