Presidenti Malit të Zi, Milo Gjukanovic, ka akuzuar Kishën Ortodokse Serbe se është duke e mbajtur të gjallë idenë e Serbisë së Madhe, ku sipas tij “rrëfimet e tyre (priftërinjve serb) mbi kufijtë janë në kundërshtim me parimet e besimit ortodoks në të gjithë botën”.

Gjukanovic madje shtoi se Kisha Ortodokse Serbe beson se krijimi i shtetit të Malit të Zi është një gabim i cili do të rregullohet me kohën.
“Ata besojnë se Mali i Zi është krijuar gabimisht dhe se koha do të na mësojë për këtë gabim dhe dikur do ta fillojnë përsëri ndërtimin e Serbisë së Madhe. Natyrisht, ne jemi të vendosur në vizionin tonë për t’i treguar atyre se nuk mund të bëjnë asgjë” tha Gjukanoviq në një mbledhje të partisë së tij në Nikshic.

Ai shtoi se Mali i Zi “do ta ndërtojë një shoqëri multietnike, me një ekonomi të hapur të tregut dhe një shoqëri e cila i respekton vlerat evropiane.”
Ai madje tha se në Mal të Zi nuk do të lejojë organizata fetare që përfaqësojnë të kaluarën. “Nuk do të lejojmë që në Malin e Zi modern, të jetojnë ata që diktohen nga një organizatë fetare që përfaqëson gërmadhat e së kaluarës”, tha Gjukanovic.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb