PRISHTINË- “Për Serbinë është e papranueshme ndryshimi i njëanshëm i marrëveshjeve mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, duke komentuar deklaratën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së Federica Mogherini për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Në një intervistë për televizion serb “Pink”, transmeton k.kosova, Gjuriç shprehet se “askush nuk do të ridefinojë atë për të cilën kemi rënë dakord më 25 gusht”. “AKS-ja do të themelohet sipas marrëveshjes që është arritur në Bruksel dhe jo në pajtim me vendimet e autoriteteve fiktive provinciale”, tha Gjuriç. Sipas Gjuriç, e vetmja mënyrë për të arritur normalitet në marrëdhëniet Prishtinë Beograd, është themelimi i Asociacionit sipas marrëveshjes së Brukselit. Mogherini gjatë vizitës zyrtare në Prishtinë tha se Asociacioni nuk do të jetë strukturë paralele e qeverisë serbe dhe se nuk do të cënojë integritetin territorial të Kosovës.

“Serbia nuk heq dorë nga formimi i Asociacionit të komunave serbe. Ne nuk do ta lejojmë rishikimin e marrëveshjes”, ka deklaruar më tutje shefi i zyrës serbe për Kosovën. Mogherini në fjalimin në Kuvend ka folur edhe për Asociacionin e Komunave Serbe, duke thënë se në Kosovë nuk do të krijohet një qeveri paralele.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: