BEOGRAD- Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë ka bërë të ditur se javën tjetër do të mbahet një takim mes drejtorit Marko Gjuriç, serbëve nga Kosova dhe kryeministrit Aleksandër Vuçiç.
Gjuriç pas takimit me përfaqësuesit serbë në qeverinë e Kosovës tha se takimi do të mbahet pas raundit të bisedimeve në Bruksel, që është parashikuar më 9 shkurt dhe temë e takimit do të jenë hapat e mëtejshëm për pjesëmarrjen e serbëve në qeverinë e Kosovës, transmeton Kosovapress.
Siç raportojnë mediat serbe Gjuriç tha se shkarkimi i Aleksandër Jabllanoviçit nga kryeministri Isa
Mustafa e ka vështirësuar situatën para bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas tij, qeveria serbe nuk pranon se Jabllanoviç është fajtor duke pasur parasysh se ai nuk i ka quajtur “egërsira” të gjithë shqiptarët e as politikanët shqiptarë, por ata që me gurë kanë gjuajtur serbët, që për festën ortodokse deshën të vizitojnë Gjakovën.

Sipas fjalëve të Gjuriçit komuniteti serb nuk është faktor i destabilitetit në Kosovë. Në takimin e sotëm në Beograd kanë marrë pjesë Aleksandër Jabllanoviç, zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviç, Lubomir Mariç, ministër i Pushtetit Lokal dhe Bratissllav Nikoliç, kryetar i Shtërpcës.
Takimi është thirrur pasi kryeministri Isa Mustafa ka larguar ministrin për Kthim Aleksandër Jabllanoviç, liderin e Listës Serbe, i cili në Kuvend të Kosovës i ka nëntë deputetë, dy ministra dhe një zëvendëskryeministër në qeverinë e Kosovës.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: