Nga: AHMET SHQARRI*

Mes shumë ngjarjeve tronditëse në këtë vend, lajmi për një ndërtim pa leje prej kreut të institucionit më të lartë të futbollit ngjan si një tallje! A thua se i hoqëm qafe gjithë ato gjëra të tmerrshme, me vrasje e vjedhje nga më të përçudnuarat dhe tashmë na kanë mbetur pa zgjidhur veçse ca vogëlsira, si ajo e asaj shtesës së paligjshme, të përmendur më sipër. Ndërkohë, është krejt e kundërta, sepse asgjë e keqe nuk ka ndaluar, por vazhdon si një flamë, me turravrapin e saj të pandalshëm e kobzi. Edhe të duash t’i shmangësh disa fakte, për të mos e bërë krejtësisht sterrë mjedisin tonë, që në të vërtetë s’të jep shumë shpresë për ndryshim, megjithatë përditshmëria e mbushur plot pisllëqe të detyron për t’i thënë më troç gjërat, kur në të vërtetë as kjo nuk është duke ndodhur. Sepse, kudo sundojnë politikanët që me levat e tyre lëvizin binarët nga ata duan të kalojnë, për të arritur synimet e tyre pushtetmbajtëse. Shikoni se si buçasin dhe ulërinë nëpër studio të ndryshme televizive lloj-lloj çakejsh, që përpiqen të mbrojnë interesat e tyre apo të klaneve që përfaqësojnë, duke trajtuar rrallë ose aspak, probleme që kanë të bëjnë me hallet e shqetësimet e këtij populli. Nuk do të doja t’a përmendja çështjen “Tom Doshi”, që na e ka sjellë në majë të hundës dhe ku qartazi shihet kacafytja e palëve për të ruajtur llogoret e tyre të pushtetit, por është e pamundur, kur këtë tragjikomedi e sheh të luhet për çdo mbrëmje nëpër lloj-lloj ekranesh dhe populli në këtë rast bëhet mish për top, pikërisht për interesat e disa horrave. Kjo është edhe ironia e gjithçkaje që na rrethon, sepse, ndërsa nuk e kemi aspak të vështirë për t’u mbledhur e protestuar për çdo ditë për interesat e ca politikanëve sojsëzë, nuk na e ndjen dhe bëjmë veshët shurdh dhe syrin qorr, për probleme delikate që rëndojnë vetëm mbi kurrizin tonë.
E kam përmendur edhe herë tjetër nënvleftësimin absurd që po i bëhet një çështjeje me të vërtetë të madhe serioze dhe publike, si asaj të ndërtimit të paligjshëm të ca godinave-përbindësh nën Digën e Liqenit Artificial të Tiranës, por përsëri avazi vazhdon, sikur të bëhej fjalë për hiçgjë, për një… shtesë pa leje, nga ajo që thuhet se po ndërtoka diku kreu i futbollit shqiptar dhe për të cilën s’ka për ta gjetur asgjë, e jo për një vepër të mirëfilltë penale, si një krim i rëndë përdhosës ndaj mjedisit publik të kryeqytetit. Përveç ndonjë nisme të një grupi të vogël ambientalistësh, që me sa duket nuk i dëgjon kush, politikanët e të gjitha ngjyrave ua kanë mpirë njerëzve të gjitha shqisat për të protestuar për probleme të tilla madhore e me rëndësi jetike, si ky i shkatërrimit që duan t’u bëjnë hapësirave tona publike, sepse për këta kameleonë e makiavelistë, e rëndësishme është vetëm mbushja e xhepave të tyre prej hajdutësh e maskarenjsh. Nuk ka se si të jetë ndryshe kur qeveri dhe opozitë, deputetë e çdo fëlliqësirë e këtij vendi bëhen kurdoherë bashkë kur është puna për barkun e tyre të qelbur. Shikoni se çfarë heshtjeje e poshtër sundon nëpër studio televizionesh rreth shfarosjes që po i kanoset mjedisit tonë publik te Kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës, ndërkohë që çirren e pëllasin për çdo mbrëmje për ngjarje nga më të pistat e këtij trualli! Dhe është populli që e pëson e vazhdon të mbetet i përbuzur për shumë halle e kauza të tij shumë të drejta. Mashtrimi ndaj tij vazhdon që nga mobilizimi nëpër mitingje e protesta, siç po ndodh edhe këto ditë me sorollatje sa andej-këndej dhe ku askush prej vulgut nuk e di dhe s’është i bindur se me ikjen e njërit apo me ardhjen e tjetrit politikan, gjendja do të mund të ndryshojë, sepse në fakt, kështu ka qenë, dhe me sa duket, kështu do të mbetet derisa ligjin këtu vazhdon ta bëjë padrejtësia dhe rregullat i vendos anarkia.
Do të doja të isha optimist, por kur shoh shumë gjëra, deri dje tepër të vlefshme, ndërsa sot të rrënuara, si Liqeni për të cilin po flasim e që deri dje ishte i mbushur plot ujë të rrjedhshëm dhe ku vozitnin varka e motoskafë, ndërsa mbi xadrat e ndërtuara mbi të zhvilloheshin gara të shumta kombëtare noti mbushur me kampionë e rekordmenë, të mbyt trishtimi dhe mosbesimi për gjithë atë mjedis të kthyer tashmë në një pellgishte rrethuar me lëmyshk e kuakje të pafund bretkosash, të cilën ca matrapazë e lapanjosë të këtij vendi duan ta zhdukin e ta zhbëjnë me gjithsej, për ta tharë dhe ndërtuar pastaj mbi të-perandorinë e tyre të krimit. Mund të jem i gabuar, por gjithçka po shihet të ndodhë deri tani në këtë vend, flet për atë se në Shqipëri më shumë duan të na tregojnë gjurmët e lëna prej grabitqarëve, se sa vetë atë, “ujkun”, që në fakt është duke bërë kërdinë…!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: