Nga KLODIANA LALA*

Gjykata e Lartë u hoqi prangat dhe dërgoi në arrest shtëpie Tom Doshin e Mark Frrokun, ish-miqtë, të cilët i akuzoi se sajuan komplotin për vrasje deputetësh. Për kolegjin penal me relator Guxim Zenelaj dhe anëtarë Artan Zeneli, Aleksandër Muskaj, Majlinda Andrea dhe Admir Thanza, urdhër- ndalimi për dy ligjvënësit i firmosur nga kryeprokurori Adriatik Llalla është i ligjshëm. Kolegji pa të përshtatshme për dy deputetët masën e arrestit shtëpiak, pavarësisht se Prokuroria e Përgjithshme këmbënguli që të mbaheshin prapa hekurave. Gjykata urdhëroi gjithashtu dy deputetët të mos kenë komunikime me persona të jashtëm, përveç familjarëve dhe avokatëve të tyre. Në dalje të gjykatës, Mark Frroku tha “drejtësia foli”. Ish-miku i tij, Tom Doshi refuzoi të fliste, por u ngjit në makinën e policisë mes duartrokitjesh të gjata të familjarëve dhe mbështetësve të tij dhe teksa buzëqeshte në drejtim të tyre. Një orë pas shpalljes së vendimit, dy ligjvënësit tashmë pa imunitet u shoqëruan nga policia në shtëpitë e tyre.

Shorti me gogla

Dyert e Gjykatës së Lartë, si rrallëherë në fundjavë u hapën pa shënuar ora 08:00. Njëri pas tjetrit brenda pak minutash mbërritën gjykatësit, ndihmësit e tyre, kancelari dhe stafi ndihmës. Shorti me gogla që u hodh pak minuta më vonë, përcaktoi kolegjin penal dhe relatorët e çështjes. Guxim Zenelaj u caktua relator si për Doshin, ashtu edhe për Frrokun. Anëtarja Majlinda Andrea paraqiti dorëheqjen për shkak të konfliktit të interesit, por kërkesa e saj nuk u pranua. Kolegji penal procedoi brenda pak orësh. Pas një mbledhjeje që zgjati diku rreth një orë, lajmëroi palët se seancat për shqyrtimin e kërkesave të Prokurorisë së Përgjithshme, që kërkonte caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj dy deputetëve do të zhvilloheshin konkretisht në orën 13:00 për Frrokun dhe në 13:30 për Doshin. Seancat u zhvilluan me dyer të mbyllura për shkak se prokurorët këmbëngulën se cenohej sekreti i hetimit, edhe pse avokatët kërkuan gjykim të hapur.

Seancat për deputetët

I pari që kapërceu pragun e Gjykatës së Lartë ishte kristiandemokrati Mark Frroku. Ndonëse me pranga, ai ngriti duart lart e përshëndeti familjarët e miqtë e tij të shumtë, që e prisnin jashtë.
“Mos u trembni prej prangave të Llallës e kosit”, u tha Frroku familjarëve, jo pa ironi në drejtim të kryeprokurorit Adriatik Llalla, sapo hyri në sallën e gjyqit, aty ku u ul në mesin e të paktën katër forcave të skuadrës së “Shqiponja”. Ai përfitoi nga rasti të pyeste për shëndetin e prindërve dhe u dha kurajë familjarëve. Pas më shumë se tri orësh, Mark Frroku, që këmbënguli fort për lirim, në fakt doli pa pranga dhe tashmë gjendet në shtëpinë e tij.

Tom Doshi, i dyti në radhë që u përball me kolegjin penal, duke këmbëngulur sërish se ndaj tij ka pasur komplot për vrasje, duket se pati luksin të mos vinte me dy duart e lidhura. Vetëm në dorën e djathtë ai mbante prangën, të lidhur gjithashtu me dorën e efektivit që e shoqëronte. Ky “favor” që policia duket se i kishte bërë Doshit, u duk sikur e bënte atë me komod përballë drejtësisë. Gjithsesi, edhe Doshi, superdeputeti sikurse e cilësonin jo rrallëherë, arriti vetëm të linte qelitë, por jo të dilte në liri të plotë. Avokatët e tij, Vladimir Meci e Ferid Muçaj këmbëngulën se gjatë seancës në Gjykatën e Lartë dolën mjaft prova që vërtetonin akuzën e ngritur nga Tom Doshi, se ndaj tij dhe demokratit Mhill Fufi ka pasur një skenar për vrasje, por dështoi.

Botuar sot në Gazetën Shqiptare
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb