Gjykata e Lartë e Moldavisë ka vendosur të përfshijë në kushtetutë integrimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE) pas pothuajse dy javësh pasi vendi në një referendum votoi për të ndryshuar dokumentin, transmeton Anadolu.
Më 20 tetor, moldavët votuan në një referendum, si rezultat i të cilët doli një votë e ngushtë “pro” për të përfshirë në kushtetutë rrugën e anëtarësimit të vendit në BE.
Votimi u zhvillua në të njëjtën ditë me zgjedhjet presidenciale, në të cilat presidentja aktuale, Maia Sandu, e konsideruar si pro-perëndimore, kërkoi një mandat të dytë në detyrë.
Sandu siguroi më pak se 50 për qind të votave, duke i hapur rrugë një raundi të dytë të zgjedhjeve presidenciale më 3 nëntor.
“Moldavia ndërmerr një hap historik pasi sot Gjykata Kushtetuese vendosi të përfshijë në kushtetutë integrimin e vendit në BE, duke reflektuar vullnetin e popullit në referendumin e fundit”, shkroi Sandu në rrjetet sociale.
Sipas saj, “kjo fitore u përket qytetarëve, të cilët kanë zgjedhur një të ardhme të ankoruar në paqe dhe prosperitet”.
Referendumi dhe zgjedhjet presidenciale u karakterizuan me akuza për ndikim të jashtëm, veçanërisht nga Sandu e cila akuzoi “grupet kriminale”, të cilat siç tha ajo, punojnë me “forcat e huaja armiqësore ndaj interesave tona kombëtare” duke u përpjekur ta mbajë vendin “të bllokuar në pasiguri dhe paqëndrueshmëri”.
“Ne kemi prova të qarta se këto grupe kriminale synonin të blejnë 300 mijë vota, një mashtrim i një shkalle të paprecedentë. Objektivi i tyre ishte të minojnë procesin demokratik. Qëllimi i tyre është të përhapin frikë dhe panik në shoqëri”, theksoi ajo.
Duke i hedhur poshtë akuzat, zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitry Peskov, tha se ata duhet të sigurojnë prova për ndërhyrjen e pretenduar ruse në zgjedhjet presidenciale në Moldavi.