TIRANE-Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, zbardh vendimin dhe jep arsyetimin se përse vendosi që çështjen të mos e merrte në shqyrtim, duke refuzuar kërkesën e prokurorisë për dënimin e drejtuesve të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo. Elita e gjyqësorit e konsideron të drejtë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit. Dosjes i hapet rruga për në Strasburg.

Gjykata e Lartë zbardh vendimin e “21 Janarit”, duke dhënë argumente që sipas saj e çuan në përfundimin se duhej refuzuar kërkesa e prokurorisë për dënimin e ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi dhe ish-gardistin Agim Llupo.

Kolegji shprehet në vendimin e publikuar se pasi e bisedoi çështjen në tërësi, vendosi: “Mospranimin e rekursit të paraqitur nga Prokuroria e Apelit Tiranë dhe të gjykuarit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, nëpërmjet avokatëve të tyre mbrojtës, kundër vendimit nr. 793, datë 18.9.2013, të Gjykatës së Apelit Tiranë”.

Gjykata nuk ka dhënë shpjegime të hollësishme në lidhje me arsyet e mospranimit të rekursit të bërë nga ana e prokurorisë, por është mjaftuar vetëm me citimin e vendimeve të mëparshme të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apeli, në lidhje me këtë dosje.

Në ngjarjen e rëndë, gjatë protestës së opozitës më 21 janar 2011, u vranë katër persona që ishin në mesin e turmës së demonstruesve.

Të vrarë mbetën Faik Myrtaj, Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Aleksandër Nika, gjithashtu edhe shtatë persona të tjerë u plagosën me armë zjarri. Ekspertizat balistike të kryera në SHBA, konfirmuan se vrasja e tyre kishte ardhur nga përdorimi i armëve të zjarrit nga ana e Gardës së Republikës. Tashmë prej tri vitesh asnjë nuk ndodhet në burg.

Të dy të pandehurit, ish-komandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe komandanti i Forcave Speciale të Gardës, Agim Llupo, kanë fituar lirinë, ku vetëm Llupo u dënua me afatet e paraburgimit, për akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Prokuroria kishte kërkuar dënimin e tyre për vrasje me dashje, por të dyja shkallët e gjyqësorit e rrëzuan pretendimin e akuzës. Tashmë edhe Gjykata e Lartë është bërë “njësh” me ta, duke e konsideruar vendimin të drejtë dhe nuk pranoi rekursin e prokurorisë, duke argumentuar se çështja nuk mund të rihapet, pasi është bërë një proces i rregullt gjyqësor.

Gjykata e Lartë, në arsyetimin e saj për mospranimin e rekursit, përmend faktin se Prendi u shpall së pari, i pafajshëm për “vrasje me dashje” nga Shkalla e Parë për akuzën e vrasjes së demonstruesit Faik Myrtaj, sikurse edhe Agim Llupo për vrasjen e Ziver Veizit.

Kolegji Penal radhit më tej kronologjinë duke kujtuar se si të dy drejtuesit e Gardës së Republikës u dënuan për akuzën e vrasjes me dashje nga pakujdesia, duke marrë Prendi 1 vit burgim dhe Llupo 3 vjet burgim.

Pesëshja gjyqësore, e përbërë nga Edmond Islamaj, Aleksandër Muskaj, Guxim Zenelaj, Shkëlzen Selimi dhe Artan Zeneli, shpjegojnë vetëm rrugën që ndoqi dosja nga Shkalla e Parë e deri në Apel.

Gjykata pranon si të mirëqenë dhe të drejtë qëndrimin e të akuzuarit Ndrea Prendi, i cili nga ana e tij ka kërkuar pafajësinë. Sipas Prendit, thotë Gjykata e Lartë, ai nuk ka pasur asnjë njohje me viktimën, e aq më tepër që ai nuk kishte dijeni se ku ndodhej viktima në momentin që e qëlloi.

Ky është argumenti që elita e gjyqësorit e ka marrë të mirëqenë dhe përfundimisht vendosi që çështja të mos shqyrtohet nga ana e tyre, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit.

Përfundimisht, çështja është e ezauruar dhe tashmë vetëm Gjykata e Strasburgut ka të drejtë të japë ose jo një tjetër vendim për ngjarjen e 21 janarit 2011.

Partia Socialiste dhe familjarët e viktimave, e konsideruan të padrejtë vendimin e Gjykatës së Lartë, që nuk pranoi rekursin e prokurorisë dhe tashmë e vetmja rrugë për ta mbetet Strasburgu.

Relacioni i kolegjit penal pritet që t’i bashkëngjitet dosjes, e cila mund të shqyrtohet në të ardhmen nga gjyqtarë të gjykatës ndërkombëtare.

(Mapo/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: