TIRANE- Dritan Dajti nuk heq dorë nga “zanati” i vjetër. Edhe në Gjykatën e Lartë e nis procesin me shtyrje. Pasi ia doli në Gjykatën e Krimeve të Rënda ta zvarriste për katër vite procesin ndaj tij, ndonëse në fund u dënua përjetësisht, e tashmë është në betejë të ashpër me drejtësinë, duket se po ndjek të njëjtën taktikë. Në seancën e parashikuar për t’u zhvilluar mëngjesin e djeshëm, Gjykata e Lartë nuk ka pasur zgjidhje tjetër veçse të shtyjë për në datë 30 shtator shqyrtimin e rekursit të prokurorisë për Dritan Dajtin. Shkak për këtë është bërë pamundësia e mbrojtësit ligjor të Dajtit, Erkens Shpendi, për t’u paraqitur në proces. Avokati kishte sjellë në gjykatë një raport mjekësor, çka vërtetonte faktin se nuk mund të mbronte interesat e të pandehurit.

Procesi ndaj Dritan Dajtit është në një pikë shumë të rëndësishme. Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Dritan Dajtin me burgim të përjetshëm për vrasjen e katër oficerëve të skuadrës speciale operacionale më 7 gusht 2009 në Durrës. Nuk kaloi shumë kohë dhe Apeli për Krime të Rënda e prishi këtë vendim duke kthyer dosjen “Dajti” për rigjykim.

Prokuroria duke mos qenë dakord me vendimin e Apelit, bëri rekurs në Gjykatën e Lartë dhe kërkon dënimin përjetësisht të Dajtit, për masakrën e Durrësit. Beteja është e hapur dhe Dajti do tentojë me çdo kusht që të paktën në fuqi të mbetet vendimi i Apelit, pasi në këtë mënyrë, në shkallën e parë do të nisë procesi nga e para, duke fituar kështu të drejtën për të kërkuar gjykim të shkurtuar. Dritan Dajti, përveç akuzave të rënda që ka mbi supe, do të kujtohet në drejtësi si njeriu që krijoi një precedent të jashtëzakonshëm të zvarritjes së procesit dhe “pingpongu” i tij me drejtësinë bëri që institucionet për shumë kohë të mbeteshin “jetime” dhe në pamundësi për ta zhbllokuar telenovelën “Dajti”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: