Një gjykatëse ka liruar nga akuzat 28 individë të përfshirë në çështjen e skandalit ndërkombëtar të pastrimit të parave të njohur si “Dokumentet e Panamasë”, mes tyre edhe bashkëthemeluesin e firmës ligjore, për të cilën autoritetet thanë se ishte në qendër të veprimtarisë për fshehjen e parave të lidhura me aktivitetet e paligjshme.
Jürgen Mossack është themelues i firmës ligjore “Mossack & Fonseca” në bashkëpunim me zotin Ramón Fonseca, i cili vdiq në maj.
Zoti Mossack u lirua nga akuzat të premten së bashku me të tjerët pasi një gjykatëse panameze gjeti se provat kundër tij nuk përputheshin me zinxhirin dokumenteve të ofruara nga prokuroria pasi autoritetet bastisën zyrën e firmës, tashmë të shpërbërë.
Prokuroria ngriti akuza ndaj drejtuesve të firmës ligjore dhe të tjerëve për krijimin e kompanive guaska dhe përdorimin e transaksioneve financiare komplekse për të fshehur paratë nga aktivitetet e paligjshme që lidhen me skandalin e korrupsionit të kompanisë braziliane “Odebrecht” e cila u deklarua fajtore në një gjykatë federale amerikane. Autoritetet amerikane kishin ngritur akuza ndaj kompanisë braziliane të ndërtimit për shfrytëzimin e kompanive guaskë për të fshehur miliona dollarë në ryshfete të paguara në mbarë botën për të fituar kontrata publike.
Gjykatësja në Panama vuri në dukje se provat e tjera në çështjen Dokumentet e Panamasë “nuk ishin të mjaftueshme dhe bindëse për të përcaktuar përgjegjësinë penale ndaj të akuzuarve”. Gjykatësja gjithashtu hoqi masat e ngrirjes së pasurive dhe pronave të vëna ndaj të gjithë të akuzuarve, thuhet në një deklaratë të gjykatës.
“Ndihemi të kënaqur mes të emocioneve të përziera, sepse shumë jetë u prekën gjatë procesit”, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press, Guillermina Mc Donald, avokatja mbrojtëse në çështje, firma e së cilës përfaqësoi 80% të të akuzuarve të firmës panameze.
Gjykatësja Balaoisa Marquínez kishte vendosur të bashkonte çështjen “Panama Papers” me çështjen madhore të korrupsionit të firmës braziliane të ndërtimit.
Ajo vendosi të premten se në rastin e kompanisë braziliane, “nuk ishte e mundur të përcaktohej hyrja e parave nga burime të paligjshme, të ardhura nga Brazili, në sistemin financiar panamez me qëllim të fshehjes, maskimit ose ndihmës për të shmangur pasojat ligjore të krimit të mëparshëm”.
Në qershor 2022, Mossack, Fonseca dhe 37 persona të tjerë u shpallën të pafajshëm në një rast të veçantë nën akuzat për pastrim parashë.
Hetimi në Brazil filloi në vitin 2014. Firma ligjore “Mossack & Fonseca” u vu në shënjestër pas rrjedhjes së 11 milionë dokumenteve financiare të lidhura me kompaninë.
Skandali i Dokumenteve të Panamasë pati pasoja në të gjithë botën, duke çuar në dorëheqjen e një kryeministri në Islandë dhe shkaktuar pikëpyetje të mëdha për udhëheqësit e atëhershëm të Argjentinës dhe Ukrainës, politikanë kinezë dhe presidentin rus Vladimir Putin, mes të tjerësh.
Në të drejtën penale, lirimi nga akuza nuk do të thotë se i akuzuari është pafajshëm, por do të thotë se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme për të arsyetuar gjetjen fajtor./Voa/