SARANDE- Gjykata ka pranuar pjesërish kërkesën e Prokurorisë së Sarandës për shpalljen fajtore të dy ish-zyrtarëve të ALUIZNI-t në këtë qytet, ndërkohë që për dy të pandehur të tjerë ka vendosur pushimin e çështjes dhe për një tjetër është veçuar gjykimi.

Të gjithë këta zyrtarë akuzohen për “Shpërdorim detyre” në procesin e legalizimit të objekteve në zonën e Ksamilit, në Sarandë. Prokuroria e Sarandës ka nisur hetimin në bazë të një kallëzimi të mbërritur nga KLSH. Nga hetimi, prokuroria ka krijuar bindjen se shtetasit e akuzuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhënë leje legalizimi në të paktën 24 raste për objekte shërbimi (lokale dhe hoteleri) në Ksamil, të cilat janë ngritur në vijën bregdetare ose pranë saj, si dhe në zona arkeologjike, muzeale e turistike, pra në zona ku është totalisht e palejuar të ndërtohet dhe rrjedhimisht, as të legalizohen.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjykata ka pranuar pjesërisht kërkesën per shpalljen fajtor të dy prej të akuzuarve, por edhe për këta dy të akuzuar ka dhënë vendime më të ulta, krahasuar me kërkesën e prokurorisë. Ndërkohë që për dy të tjerë, ka vendosur pushimin e çështjes. Në këto kushte, Prokuroria e Sarandës po përgatit ankimin në Gjykatën e Apelit Gjirokastër.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, dy ditë më parë, vendosi:Aluizni
– Deklarimin fajtor të të pandehurit Vesel Koçiu (ish-drejtor i ALUIZNI-t, Sarandë) dhe dënimin me 6 muaj burgim. (Prokuroria kërkoi 2 vjet burgim)
– Deklarimin fajtor të të pandehurit Laert Cane (ish-përgjegjës i ALUIZNI-t, Sarandë) dhe dënimin me 6 muaj burgim. (Prokuroria kërkoi 2 vjet burgim)
– Pushimin e çështjes për shtetasit Feti Deromenaj dhe Manjola Nikollo (Prokuroria kërkoi dënimin me burgim për secilin me nga 1 vit e 4 muaj)

Gjykimi ndaj këtyre të pandehurve është zhvilluar me procedurë të shkurtuar. Ndërkohë, po vijon me procedurë normale gjykimi për të akuzuarin e pestë të kësaj çështje, shtetasin Roland Tafilaj, ish-drejtori rajonal i ALUIZNI-t, Vlorë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: