NGA KLODIANA LALA
TIRANE- Pas refuzimit nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, të kandidaturave të propozuara nga qeveria shqiptare për pozicionin e gjykatësit në Strasburg, hapet sërish gara.
Për të katërtën herë në dy vite, me kërkesë të Këshillit të Europës, qeveria shqiptare shpalli thirrjen publike për aplikim për pozicionin e ngelur vakant prej disa kohësh.
Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, përmes një shkresë dërguar disa institucioneve, si: Gjykata Kushtetuese, Prokuroria e Përgjithshme apo Shkolla e Magjistratës, kërkon prej tyre publikimin e njoftimit, me qëllim informimin e sa më shumë personave që kanë interes për të aplikuar.
Por cilat janë kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për pozicionin e gjykatësit në Strasburg?
Në dokumentin zyrtar thuhet se: Kandidati duhet të ketë të paktën 15 vjet përvojë punë si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, nëpunës i nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës, kryesisht në fushën e të drejtave të njeriut. Përparësi do të kenë kandidatët me përvojë praktike në sistemin e drejtësisë.
Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike, gjatë dhjetë viteve të fundit përpara kandidimit.
Gjithashtu të mos ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar i ish-sigurimit të shtetit, para 2 korrikut 1991. Të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i Shërbimeve të Inteligjencës.
Në thirrjen për aplikim janë listuar të gjithë dokumentet që duhet të dorëzojë secili kandidat.
Ajo që bie në sy, është fakti që Këshilli i Ministrave thekson se kandidatët do t’i nënshtrohen procesit të Vetingut.
“Duke marrë në konsideratë rëndësinë e integritetit profesional e moral, si dhe pastërtinë e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë shqiptare, por edhe të përfaqësuesve shqiptare në trupat ndërkombëtar gjyqësore, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, aplikantët për pozicionin e gjyqtarit të ri të Shqipërisë në Strasbhurg, do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit kalimtar”.
Aplikimet do të pranohen deri më datë 20 mars. Në përfundim të procesit, qeveria përzgjedh tri kandidatë, të cilët kalojnë për votim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Përgjatë dy viteve të fundit, Asambleja Parlamentare ka rrëzuar tri lista me kandidatët e propozuar nga qeveria shqiptare.
Herën e parë, kandidatët Sokol Berberi, Genti Ibrahimi dhe Ina Rama, ndonëse udhëtuan drejt Parisit, u shpërfillën nga përfaqësuesit e Asamblesë, duke mos u intervistuar, pasi u konsideruan si të papranueshëm.
(BalkanWeb)