Pas pothuajse 2 vite e gjysmë, Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha janë rikthyer në selinë e tyre në qytetin e Shkodrës duke zhvilluar mbledhjen e parë me drejtuesin politik Luçiano Boçi. Qëllimi i kësaj mbledhje ishte organizimi i protestës së opozitës më 11 korrik përpara Kryeministrisë.

Boçi në fjalën e tij gjatë mbledhjes tha se çdo anëtar i PD duhet të organizohet maksimalisht për të mundësuar sa më shumë qytetarë në këtë protestë kundër qeverisë që sipas tij është e kapur nga bandat kriminale.

“Më vjen mirë që jemi kthyer në këtë seli këtu në Shkodër dhe që tashmë edhe ligjërisht jemi Partia Demokratike se moralisht kemi qenë prej fillimit. Ne përballemi çdo ditë me banda elektorale e kriminale të qeverisë, banda e bashkisë Shkodër, banda e policisë së shtetit që të mos përsërisim gjëra që ju i dini shumë mirë. Përdorin bandat, grabisin, patronazhojnë, blejnë votat por kjo nuk duhet që të na demoralizojë. Këtu ka qenë baza e PD dhe i kemi borxh Shkodrës. Kemi përballuar përplasje nga të pamenduara më parë. Kam ardhur si demokrat i thjeshtë që jam i revoltuar dhe për t’ju bashkuar edhe revoltës tuaj. Rama është armiku ynë kryesor, ka përzënë rininë, ka dështuar arsimin, bujqësinë dhe çdo gjë tjetër. I shihni zyrtarët në Shkodër, administratorët në Shkodër dhe gjithë shtetin të korruptuar dhe ne duhet që ta shembim me vepra dhe angazhim. Edi Rama është armiku jonë më i madh. Jemi marrë me veten tonë dhe kemi kaq vite që merremi me veten tonë. Kemi shëmtuar komunikimin me anëtarin punëtor të PD në territor dhe kemi shkëputur komunikimin me qytetarin. Politika nga përvoja ime kërkon që të ketë komunikim, kërkon dhënie dore, ndërtim besimi, takim ballë për ballë. Ajo që duhet të rivendosim ne është komunikimi brenda nesh dhe që quhet bashkimi i PD dhe komunikimi me gjithë strukturat e PD dhe më pas me gjithë qytetarët e qarkut dhe bashkive në gjithë vendin. Nuk duhet të na mbysë emocioni i kësaj salle por duhet të dalim dhe t’i japim besën qytetarëve dhe të ndërtojmë një vizion të qartë me qytetarët për t’i thënë se do jemi pjesë e projekteve zhvillimore të vendit dhe kjo bëhet jo me fjalë por me vepra konkrete. Qytetarët ta kuptojnë që janë të mbështetur nga ana jonë dhe të duan t’i bashkohen programit tonë shpresëdhënës. Forma e komunikimit kur je në politikë është protesta dhe kjo nuk është një teori. Sytë dhe veshët e çdo qytetari shqiptar, i majtë i djathtë me parti e pa parti duhet të jenë në sheshin përpara kryeministrisë dhe nga aty përhapet shpresa e fitores dhe nuk duhet të dështojmë, nuk duhet që të jemi pak në numër. E dimë shumë mirë si ftohen njerëzit dhe çdo kush duhet që të bëjë pjesën e vet por për këtë organizim ne duhet që të marrim përgjegjësitë tona sepse kryesia e PD nuk është honorifike dhe të gjithë duhet që të shpërndahemi në territor në mënyrë që qytetarët të na mbështesin në aksionin tonë dhe protestën tonë. Duhet të luftojmë patjetër edhe për lirinë e liderit tonë Sali Berisha. Ta fillojmë duke thirrur të gjithë seksionet dhe të pushtojmë çdo hapësirë të Shkodrës dhe Shqipërisë dhe të mos neglizhojmë asnjë qytetar, asnjë biznes. Duhet ta bëjmë të gjithë bashkë këtë organizim dhe të mos hezitojmë për të përdorur të gjitha format njerëzore. Na pret shumë punë përpara dhe besoj se do ta bëjmë shumë mirë”.

  • foto galeri
  • foto galeri

Më pas gjatë mbledhjes u zhvilluan edhe disa diskutime ku një pjesë e anëtarëve të PD Shkodër mbështetën protestën dhe Boçin në diskutimin e tij por kërkuan gjithashtu që të mbahen zgjedhje për degën lokale duke qenë se kryetari aktual Gjenarin Kapcari pritet që të japë dorëheqjen.
Imelda Kraja: Shkodra është bastioni i PD dhe ka për të vijuar për të qenë. PD Shkodër sa i përket protestave ka qenë gjithmonë e gatshme. Unë shpreh angazhimin maksimal për protestën dhe çdo hap tjetër. “Pas kësaj proteste në parti të bëhen zgjedhjet se kështu nuk shkon më. Duhet të bëhen zgjedhjet dhe kujtdo t’i jepet ajo që meriton”, tha një anëtar i kryesisë së PD.

Boçi: Jemi para zgjedhjeve politike dhe ajo që kërkohet është që të kafshojmë gjuhën për të përmbajtur emocionet tona në mënyrë që të marrim atë që kërkojmë.

“Duhet që gjërat të jenë reale dhe të ketë seriozitet. Ka deputet që kanë marrë mandatin dhe nuk duken askund. Nëse vihet me të njëjtit emra, unë i pari i injoroj”, u shpreh një tjetër anëtar.
Boçi: Në qoftëse ne kemi ambicie personale përtej asaj të mirës së përbashkët, mos na mbështesni. Deputet nuk është një vend pune por është mision, është angazhim për qytetarët.
Qashif Hoxha: Është protestë emergjente që ka pak ditë në dispozicion dhe ne duhet që ta tregojmë veten. Unë kam ardhur sot në respekt të Boçit. Kjo parti ka nevojë për organizim tjetër, fytyra të tjera, të rinj. Jo vetëm figurat e PD por edhe figura të tjera duhet që të dalin dhe të bëjnë thirrje për protestën. Sa më shumë njerëz që të jenë aq ma shumë kthehet besimi dhe aq më i ndershëm është organizimi jonë.
Arben Lushaj: Të bëhen zgjedhje. Të gjithë kemi peshën e gabimeve tona dhe nëse themi ky kështu, ky ashtu atëherë kjo nuk është rruga e duhur. Nëse duam t’i vendosim shpatullat gjithë bashkë dakord, ndryshe nuk funksionon.
Selami Hoxha: Janë në punë njerëzit dhe shumë prej tyre kanë frikë për të ardhur. Ka hallexhi sa të duash.
Benjamin Nako: Duhet që të zhvillohen zgjedhje. Nuk duhet neglizhuar kjo pjesë. PD ka shumë kontributor që nuk janë këtu sot. Janë njerëz që kanë emër dhe duhet që të afrohen. Duhet punuar në mënyrë të drejtë me të gjithë.
Boçi: Proceset zgjedhore kanë strukturë më të shëndosh se një emërim. Vendimin më të drejtë nuk duhet që ta marr unë por i përket anëtarë të PD dhe i takon atyre jo mua dhe në respekt të statutit të PD patjetër që duhet të ketë zgjedhje. Sa i përket protestës, dhuna politike, patronazhimi etj i tërheqin njerëzit dhe ne na mbeten metodat tradicionale.

A do të ketë autobus për protestën?
Boçi: Nuk ka autobusë për protestën sepse mënyra si e kanë bërë këta që nuk lejojnë lëvizjen e autobusëve në destinacione të tjera e bën të pamundur dhe duhet të organizohemi me mjetet tona. Ajo që dua t’ju them është që Gjeni figurat të rëndësishme që kanë qenë në radhët e PD, një ish kryetar bashkie, një pedagog, një personalitet që ka dëshirë të bëjë thirrje dhe po ashtu duhet të organizohemi në këshillin bashkiak në mënyrë që të kemi një qëndrim të unifikuar, të rakorduar dhe jo njëri çekiçit dhe tjetri patkoit apo dikush të sakrifikohej e të flasë në emër të gjithëve. Do doja që të kem datat e mbledhjes, rendin e ditës e te tjera. Pastaj çdo ditë anëtarët e këshillit bashkiak të përgatisin secili një deklaratë për thirrje pjesëmarrje në protestë. Mos harroni se ata kanë të gjitha të dhënat. I kanë me targa, me biznese dhe gjithçka tjetër dhe pastaj i godasin njerëzit tanë në gjitha format. Pa të dhëna menaxhimi i pushtetit është i vështirë. Ata i kanë të gjitha. Ndaj ne duhet të bëhemi gati për çdo lloj përballje dhe të respektojmë kontributin e gjithsecilit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: