Deputetja Ina Zhupa, e cila ka qenë përfaqësuese e disa padive në Gjykatën Kushtetuese ka reaguar në lidhje me largimin e Elsa Toskës si dhe mos zbatimin e vendimit për Xhackën nga kuvendi.

Të dyja mund të lidhen me vullnetin e mazhorancës për ta kontrolluar totalisht Gjykatën sepse deri tani balanca e brishtë 5-4 mund të rrezikohet me vendimarrjet të mundshme për mandate të deputetëve.

Statusi i plotë:

”Gjykata Kushtetuese sot është e nëpërkëmbur dhe e zhvlerësuar.

Gjykata ka vetëm dy rrugë: ose të marr vendime pro mazhorancës dhe ti njihen ose vendimet e marra jashtë vullnetit mazhorancës nuk do zbatohen dhe nuk do njihen nga parlamenti.

Në këtë minim të drejtësisë vjen edhe lajmi i dorëheqjes së një gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese, që në çdo vend tjetër do ishte temë themelore e diskutimit mbi arsyet dhe motivet.

Elsa Toskën se kam njohu dhe se kam takuar kurrë në jetë. Por kam qënë në sallën e Gjykatës Kushtetuese për të parë integritetin e saj në qëndrime dhe profesionalizmin e saj në vendimarrje.

Ndoshta këto kanë qënë arsyet që e kanë detyruar të jap dorëheqjen… ndoshta më shumë gjyqtarë vegla duhen sesa balanca e brishtë 5-4 e shumë vendimarrjeve të fundit. Kjo mund të jetë nevoja e re e pushtetit.

Secili nga ne është i rrezikuar kur cënohet integriteti i vendimarrjeve të Gjykatës Kushtetuese, që në thelb garanton mos cënueshmërinë e të drejtave tona themelore kushtetuese, ndarjen dhe balancën e pushteteve dhe integritetin dhe sovranitetin e vendit”, thotë Zhupa.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb