Anëtari i Kryesisë së PD-së Grigels Muçollari është shprehur përmes një postimi në rrjetet sociale se pasiguritë janë duke shoqëruar qytetarët shqiptarë në jetën e tyre të përditshme.

Ai theksoi se pasiguria juridike është një realitet në Shqipëri, duke thënë se “i teket kryeministrit” dhe arreston liderin e opozitës dhe kundërshtarët politikë për një konferencë shtypi, duke iu referuar rasteve të Sali Berishës, Ilir Metës dhe Ervin Salianjit.

Sipas tij, pasiguritë janë të dukshme edhe në ushqim, ilaçe apo mjedis, ndërsa apeloi se për të siguruar ndryshimin duhet të ketë përmbysje.

Reagimi i plotë:

Pasiguritë janë rrathët që e shoqërojnë jetën e një shqiptari çdo orë, sapo nis ditën. Ngjarjet e fundit në Tiranë vënë në krye atë më të rëndën, pasigurinë për jetën. Jeta që merret aq lehtë në derën e shkollës, në derën e lokalit, në derën e Universitetit. Policia e shtetit mungon aty ku duhet të jetë. Nuk mban përgjegjësi. Ministri, skifter anti-PD. Në zbardhjen e disa dosjeve hetimore, shihet se si grupet e fuqishme kriminale caktojnë shefa e drejtorë. Uniformat i tregojnë dhëmbët protestuesve. Vjen më tej, pasiguria ushqimore. Produktet në treg, që konsumojmë, që marim në shpi, nuk kalojnë filtrin e duhur. Askush nuk të garanton se a janë të shëndetshme, a janë brenda afatit, a përmbajnë elemente të dëmshme. Kemi një Agjensi qeveritare që duhet ta kryejë këtë punë, po ajo reagon me shumë vonesë edhe kur të tjerët, autoritete fqinje ose të BE, lajmërojnë për ndonjë produkt të dyshimtë. Së fundmi, u raportua se nga Europa janë kthyer mbrapsht 57 përqind e eksporteve tona. Një dramë për prodhimin vendas, për fermerin. Pse? Sepse AKU nuk ekzsiton. Ministrja në detyrë, nuk mban përgjegjësi.

Pasiguria e ilaçeve është një alarm. Kontrolli i Lartë i Shtetit paska zbuluar se 3 vitet e fundit dhjetra lloje barnash në qindra mijë doza kanë hyrë tek ne, dhe janë marrë nga njerëzit, pa ju nënshtruar analizës laboratorike. Ka një strukturë qeveritare që duhet ta ofrojë këtë shërbim. Quhet Agjensia për Barnat dhe Paisjet Mjekësore. KLSH gjeti se prej 3 vitesh aty mungojnë investimet bazike dhe laboratori nuk është modernizuar, e nuk funksionon si duhet. Ndërkohë, sipas qeverisë, mjekësia është falas dhe më e mirë se në Angli e Itali. Ministrja përgjegjëse sulmon Opozitën.

Pasiguria mjedisore është në nivele të frikshme. Të gjithë tanimë e dimë se këtu tek ne ka mbetje toksike, që lihen të zbuluara në mes të portit, lëndë të rrezikshme me të cilat bëhet tregti ilegale, ndërkombëtare. Ne kemi një agjensi qeveritare dhe një Ministri që duhet të garantojë që kjo të mos ndodhë. Ato janë, por nuk e bëjnë punën. Zonja përgjegjëse ka një trill për të na treguar si bëhet byreku në Gjirokastër, ndërsa për këtë shqetësim madhor që ka publiku, ajo fajëson të tjerët.

Pasiguria juridike është tanimë fakt. I teket Kryeministrit, arreston liderin e Opozitës, burgos kundërshtarët për një konferencë shtypi. Ku do të apelosh? Edhe të Enjten në darkë, Gjykata më e lartë në vend, që supozohet ajo më me integritet, nuk pati kurajon të prishë humorin e Edi Ramës e të japë drejtësi.

Kjo pra është Shqipëria 2030. Aty ku qeveria duhet të jetë prezente të ofrojë siguri, ajo nuk ekziston, dhe shfaqet me këmbën e saj brutale për të shkelur siguritë që na i jep Kushtetuta. Pra rilindja me shefin e saj të madh, dështon dhe mungon aty ku duhet, dhe kur vjen, vjen vetëm për keq, për dëm. Dhe ka njerëz që habiten pse në studimet që bëhen, në indeksin e lumturisë, jemi në fund të botës. Ndryshimi nuk mjafton. Duhet përmbysje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb