KORCE – Gjykata e Korçës ka lënë në burg drejtorin e Ujësjellësit të Ersekës, Orest Malushi, i cili akuzohet se kërcënoi me armë një biznesmen, në një prej lokaleve të Ersekës.

Drejtori i Ujësjellësit të Ersekës, njëherësh kreu i PS­-së në këtë qytet, u ndalua tre ditë më parë nga policia me urdhër të Prokurorisë, pasi akuzohet për kanosje dhe armëmbajtje pa leje.

38-vjeçari Malushi dhe biznesmeni Zylyftar Byreku kanë qenë duke darkuar secili me shoqërinë e tij në një lokal që ndodhet në aksin Ersekë-Leskovik. Sipas dëshmitarëve, kreu i Ujësjellësit, Malushi; përfaqësues i PS-së dhe biznesmeni Byreku, militant i PD-së kanë debatuar për partitë. Sherri mes tyre ka vijuar edhe në ambientet e jashtme të lokalit.

Më pas, biznesmeni ka bërë denoncim në polici. Ai ka deklaruar para bluve se Orest Malushi, nën efektin e pijeve alkoolike e ka kërcënuar atë me armë zjarri jashtë ambienteve të lokalit. Menjëherë pas denoncimit, policia ka shoqëruar 38-vjeçarin Malushi dhe ka ushtruar kontroll në banesën e tij, por nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Dy vjet më parë, makinës së Orest Malushit iu vendos një sasi tritoli, por pati vetëm dëme materiale. Ngjarja ndodhi teksa ai ishte duke qëndruar në një lokal, ndërsa mjeti ishte i parkuar, por rasti nuk u zbardh.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb