*Ja sa vite burg rrezikon Ksera nëse shpallet fajtor
*”Arrest me burg” bashkëpunëtorit të Kserës, lihen të lira dy femrat

TIRANE- Ish-­ministri i qeverisë “Berisha”, Spiro Ksera i arrestuar një ditë më parë për korrupsion dhe abuzime me tenderët, në një vlerë prej 306 milionë lekësh të vjetra, doli sot para gjykatës së Tiranës, ku u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg”. Ksera akuzohet për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” e kryer përmes procedurave fiktive për organizimin e disa aktiviteteve social-kulturore në vitin 2013.

Ai ka mbërritur në ambientet e gjykatës rreth orës 13:05 minuta, me pranga në duar ndërsa pak minuta më vonë edhe stafi i tij, të akuzuar nga Prokuroria si bashkëpunëtorë. Gazetarja Klodiana Lala raporton se ish ministri doli para gjyqtarit Ilir Çeliku, rreth orës 14:00, ku dha edhe versionin e tij për ngjarjen.

Sakaq avokati Genc Gjokutaj ka këmbngulur për masë më të lëhtë, pasi sipas tij zoti Ksera nuk përbën rrezikshëmri, nuk ka tentuar asnjëherë të largohet nga vendi, e madje kishte mbërritur në Shqipëri vetëm 3 orë para se të arrestohej dhe i kishte të gjitha mundësitë të largohej.

Menjëherë pas gjygjit, avokati mbrojtës, Genc Gjokutaj deklaroi se vendimi është i padrejtë dhe se do të apelohet. “ Do apelojmë një vendim që nuk do ta ketë jetën të gjatë. Ndalimi i paligjshëm”,- tha ai.

Sipas avokatit vetë prokurori i çështjes, nuk arriti të artikulonte drejt përgjegjësitë. “Thotë ka problem por se ku lidhet me Kserën nuk e tregon”.

Avokati më tej sqaroi se seanca nuk ka pasur tension. “Pjesa e çudisë është vendimi i gjykatës. Vijoj të them që klienti im nuk është pyetur asnjëherë më parë”

Të parët që u njohën me masën e sigurisë ishin bashkëpunëtorët e Kserës. Artevis Mene, pjesë e kabinetit të Kserës është lënë në burg, ndërsa për dy femrat Elda Kozaj, 31 vjeç dhe Pranvera Lile, 58 vjeç, gjykata kërkoi “detyrim paraqitje.

Prokuroria nga ana e saj ka kërkuar masën arrest me burg për Kserën dhe bashkëpunëtorin e tij Artevis Mene, 27 vjeç. Kurse për femrat e ndaluara akuza kërkoi “arrest shtëpie”.

“ARREST ME BURG” BASHKËPUNËTORIT TË KSERËS, “DETYRIM PARAQITJE” PËR DY FEMRAT
Seanca e gjykimit tek Gjykata e Tiranës nuk ka nisur me ish-ministrin Spiro Ksera, por me Artevis Mene, bashkëpunëtorin e tij dhe ish- punonjës në kabinetin e Kserës. Për të gjykata ka lënë në fuqi masën e kërkuar nga Prokuroria “arrest me burg” edhe pse avokati i tij kërkoi masë më lehtësuese, “arrest shtepie”. Po ashtu gjykata ka vendosur masën edhe për femrat e ndaluara Elda Kozaj, 31 vjeç dhe Pranvera Lile, 58 vjeç, duke i lënë në “detyrim paraqitje” edhe pse akuza kërkoi “arrest shtëpie”.

JA SA VJET BURG RREZIKON KSERA
Kjo vepër penale parashikohet në nenin 248 të Kodit Penal dhe dënimi për të shkon nga 7 vjet deri te gjobat që sillen nga 300 mijë lekë deri në 1 milionë lekë. Pra nëse Ksera shpallet fajtor për akuzat që rëndojnë mbi të, ai mund të kryejë 7 vjet burg.

Ish-­ministri Spiro Ksera është i pari ish zyrtar i qeverisë që arrestohet për korrupsion. Prokuroria ka kërkuar që për Kserën të vendoset masa e arrestit me burg. Bashkë me të u arrestuan edhe katër persona të tjerë, ndërsa tre të tjerët janë ende në kërkim.

AKUZAT DHE SHKELJET
Prokuroria ka krijuar dyshime se ish­-ministri Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, i cili u ndalua mbrëmjen e së Premtes (dt. 29.01.2016), ka kryer veprën penale të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” nëpërmjet procedurave fiktive për organizimin e disa aktiviteteve social­kulturore gjatë vitit 2013.

Prokuroria e Tiranës, Njësia Task­Force, ka zhvilluar hetimet në bazë të kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në kuadër të veprimeve proceduriale, janë krijuar dyshime të arsyeshme se ish­ministri Ksera, në cilësinë e kryetarit të Entit Prokurues, në bashkëpunim me ishdrejtorin
e Kabinetit, Kleves Bitro, si edhe me mbështetjen e disa zyrtarëve të tjerë, kanë vjedhur 30 milionë lekë të reja nga buxheti i shtetit.

Këto shuma financiare, ish­- drejtuesit e lartë të Ministrisë së Punës i kanë akorduar për disa aktivitete për shtresa të ndryshme sociale, por që faktikisht këto evente nuk janë realizuar, ose janë realizuar me kosto shumë më të ulta nga ato që janë shënuar në dokumenta. Në bazë të veprimeve proceduriale, rezulton se janë kryer pagesa për aktivitetet që nuk janë kryer, si më poshtë:

1­“Prioriteti i minoriteteve. ­Barazi në të drejta”;
2­ “Kapërceni paragjykimet. ­Njihni romët”;
3 ­“Ne sfidojmë të gjithë sëbashku”;
4­“Të ndryshëm, por të barabartë”;
5 ­Përfshirje sociale. ­Drejtësi sociale”
6 ­“Mosha e tretë, vlerë për shoqërinë”.

Avokati i ish ministrit Ksera, Genc Gjokutaj mohon që klienti i tij të ketë lidhje me procedurat për zhvillimin e aktiviteteve dhe të programeve sociale, dhe se shkresat janë procedurë e stafit teknik. Po sipas avokatit, klienti e tij nuk është marrë asnjëherë në pyetje që nga kallëzimi i KLSH.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: